Tirana fiton trofeun "Kujtim Majaci", Teuta dorëzohet në finale pas penalltive
Të dielën, në stadiumin "Loni Papuçiu" të Fierit, është zhvilluar trofeu "Kujtim Majaci". Ky ishte edicioni i parë i aktivitetit përkujtimor për ish-futbollistin e famshëm të këtij qyteti, që është parashikuar të shndërrohet në një traditë të përvitshme. Vendimi për zhvillimin e kësaj kupe, përpara fillimit të kampionatit, është marrë nga presidenca e klubit bardhejeshil dhe ka si qëllim nderimin e figurës së legjendës së futbollit fierak, i cili ka qenë edhe pjesë e Kombëtares shqiptare. Pjesëmarrëset e para të këtij trofeu, përveç Apolonisë, kanë qenë Tirana, Dinamo e Teuta. Pas shortit u vendos që sfida e parë të luhej ndërmjet dinamovitëve, të drejtuar nga Shkëlqim Muça, dhe "djemve të detit". Në fund të 45 minutave (kjo ishte koha e përcaktuar për përballjet) durrsakët fituan me rezultatin e pastër 2:0. Të dytët në fushën e gjelbër kanë zbritur vendasit e Apolonisë dhe Tirana. Kjo ndeshje është fituar nga kampionët në fuqi të vendit. Falë një paraqitjeje të shkëlqyer, lojtarët bardheblu kanë kaluar në avantazh që prej minutave të para të lojës. Të besuarit e Lonçareviç ishin dukshëm më superiorë se fierakët e Esad Karishik, megjithatë, takimi është mbyllur me fitoren minimale.
Pas sfidave të para, të cilat kanë dhuruar emocione të forta për tifozët e shumtë në stadium, në finale kaluan Teuta me Tiranën. Rivaliteti mes dy skuadrave ishte i madh dhe pas barazimit 1:1 në fërshëllimën finale, u nevojitën gjuajtjet e penalltisë për të përcaktuar fituesen e trofeut "Kujtim Majaci". Kryeqytetasit janë treguar më të saktë nga pika e bardhë. Për t‘u theksuar është fakti se falë këtij aktiviteti, tribunat e "Loni Papuçiut" janë mbushur për herë të parë pas shumë vitesh. Tifozët kanë nxituar të ndihmonin familjen Majaci, në llogari të së cilës ka kaluar e gjithë shifra e grumbulluar nga shitja e biletave, pavarësisht se ishte kulmi i sezonit veror. Nga pjesëmarrësit e shumtë nuk kanë munguar as sponsorizimet. Shuma e dhuruar nga sportdashësit fierakë dhe dhjetëra të tjerë që kishin ardhur nga e gjithë Shqipëria, shkonte deri në 200.000 lekë të reja.