E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, gati për ndeshjen më të vështirë të sezonit

TIRANE-Skuadra e Tiranes luan nesër në Kavajë një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, pasi i duhet të marrë 3 pikë përballë Besës së vendit të dytë. Një mision që nuk duket shumë i lehtë, duke patur parasysh se bardheblutë këtë edicion kanë marrë vetëm një barazim 1-1 në kampionat dhe janë mundur 2-0 në Kupë përballë kavajasve. Trajnerit Starova i duhet të shpresojë në një paraqitje ndryshe në krahasim me atë ndaj Gramozit javën e shkuar, megjithatë në këtë rast ato që kanë më shumë rëndësi janë 3 pikët sesa loja e bukur. Në rast disfate apo barazimi, Tirana rrezikon të kalohet në renditje nga Laçi, që ka edhe avantazhin e përballjeve direkte, duke fituar dy ndeshje dhe duke humbur një. Rëndësia e sfidës së nesërme ndjehet jo pak në kampin bardheblu, ku edhe përqendrimi këto ditë ka qenë disi më i madh. "Ndeshja me Besën është shansi ynë, - deklaroi dje portieri Blendi Nallbani. - Do të luajmë padyshim një nga sfidat më të rëndësishme të këtij sezoni dhe nuk na falet që të gabojmë. Mendoj se i kemi shanset për t'ia dalë", shtoi ai. Në tre javët e mbetura, ekipit kryeqytetas i duhet të ndeshet me Besën, Dinamon dhe Skënderbeun, gjë që do të thotë se kalendari nuk është edhe aq i favorshëm. Në krahun tjetër, kurbinasit nesër luajnë në Tiranë ndaj Dinamos, më pas presin Skënderbeun dhe në javën e fundit udhëtojnë për në Krujë, ku do të ndeshet me Kastriotin. Ndeshja më e vështirë për Laçin duket ajo në Krujë, por ekziston rreziku që deri në javën e fundit ekipi i Ramazan Ndreut të ketë rënë matematikisht, duke qenë se për momentin mban vendin e 11-të në klasifikim. Thënë ndryshe, është një fund-sezoni i kthyer në "thriller" për zonën europiane, ashtu si për atë të mbijetesës.
Evropa
Duke parë kalendarin, një tjetër shpresë e Tiranës është rivalja Dinamo, e cila këtë javë do të presë Laçin. Blutë kanë toleruar në të gjitha sfidat e fazës së tretë, por gjasat janë që ata të luajnë drejt të paktën këtë takim. Në fakt, në rast se kurbinasit nuk fitojnë, atëherë për bardheblutë do të ishte i vlefshëm çdo rezultat në Kavajë. "Kundër Besës është një ndeshje për të siguruar Evropën dhe jo për vendin e dytë, - ka shpjeguar "Tata". - Objektivi ynë primar është pjesëmarrja në Kupat e Evropës dhe pak rëndësi ka nëse jemi të dytët apo të tretët. E përsëris, kemi një shans të mirë në rast se do të fitojmë", shton portieri legjendar i bardhebluve. Duket qartë se te Tirana nuk ka nevojë për shumë motivim për këtë takim. Vetë presidenti Refik Halili e ka thënë hapur pak kohë më parë, se në rast mungese të kualifikimit për në Evropë, shumë lojtarë rrezikojnë kontratat. E megjithatë, përballë Besës së Shpëtim Duros nuk është e lehtë, ndonëse kavajasit nuk duken shumë të shqetësuar për pjesëmarrjen në Evropë duke parë edhe kalendarin e lehtë. Dy skuadrat nuk kanë asnjë të pezulluar për këtë takim, që mund të vendosë shumë për të ardhmen e tyre.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›