Cana: Champions? S‘është e pamundur
Humbja e fundjavës së kaluar, ku Olimpik Marseja u dorëzua 2-1 në shtëpi përballë Bordosë, ka kompromentuar shanset e klubit për t‘u kualifikuar në Ligën e Kampioneve. Megjithatë, Lorik Cana beson se skuadra i ka të gjitha shanset që të rifitojë vendin e tretë në Ligë 1 dhe kualifikimin për në aktivitetin më të rëndësishëm për klube në kontinent. Ashtu sikundër paraqitet në fushën e lojës, edhe jashtë saj mesfushori i kombëtares nuk pranon të dorëzohet pa luftuar. Përkundrazi, kapiteni i marsejezëve beson ende në fatin që Olimpiku mund ta mbyllë sezonin në vendin e tretë. "Përballë Bordosë humbëm një përballje shumë të rëndësishme në kuadrin e kualifikimit për në Ligën e Kampioneve", tha 24-vjeçari. "Megjithatë, deri në mbylljen e kampionatit mbeten edhe dy ndeshje dhe në lojë janë gjashtë pikë. Do të provojmë shanset tona deri në fund. Çdo gjë është e mundur. Mendoj se kemi përpara nesh një detyrë shumë të vështirë, por jo të pamundur". Cana ka oferta nga disa klube të njohura evropiane dhe qëndrimi i tij te Marseja varet edhe nga pjesëmarrja e klubit në Champions.