Tirana i rikthehet fitores, barazon Besa
TIRANE- Tirana i është rikthyer fitores në kampionat, duke mundur 1-0 Laçin në “Qemal Stafa”. Pas 3 humbjesh radhazi, bardheblutë duket se e kanë lënë pas momentin e vështirë, duke marrë një 3 pikësh të artë përsa i përket betejës për një vend në Kupat e Evropës. Laçi ishte një kundërshtar direkt për të arritur zonën e Europa League dhe bardheblutë kanë ditur ta mundin, falë një goli të realizuar në minutën e 26-të nga Arbër Abilaliaj me kokë. Laçianët janë treguar të rrezikshëm në disa momente, megjithatë skuadra vendase e ka administruar mjaft mirë rezultatin. Kjo fitore e ngjit Tiranën në kuotën e 35 pikëve, 5 më pak se Besa e vendit të dytë, e cila barazoi 1-1 me Teutën në Kavajë. Skuadra e Shpëtim Duros ka bërë një hap fals, duke rihapur luftën për vendin e dytë, kur duhen edhe 11 javë deri në fund. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të luajtur sot, Gramozi dhe Vllaznia barazuan 1-1 mes tyre në Ersekë. Të dielën do të luhen 3 ndeshjet e tjera të javës së 22-të, Apolonia-Dinamo, Skënderbeu-Shkumbini dhe Flamurtari-Kastrioti.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)