Tirana i thotë lamtumirë Europës. Tirana-Kajserispor 0-2

Tirana i thotë lamtumirë Europës. Fituesja e Kupës së Shqipërisë humbi 2-0 në ballafaqimin e parë me skuadrën turke Kajserispor në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës UEFA. Një humbje e pësuar në stadiumin e saj "Selman Stërmasi" më të njëjtat shifra që ajo fitoi më 27 korrik me skuadrën kroate NK Varteks.
Një ndeshje me dy fytyra të ndryshme në cdo pjesë: shumë e zbehtë dhe pa grintë e para, dhe më agresive dhe me raste e dyta. Një humbje që mund të evitohej, ndërkohë që barazimi mund të ishte rezultati më i drejtë, kur gabimet e Salihit në golin e parë dhe të Nallbanit në të dytin vendosën edhe fatin e ndeshjes. Dy gabime të shfrutëzuara mjeshtërisht nga goleadori Hanifi , autor i dy golave në minutat 26 dhe 44 të pjesës së parë. Në të parin futbollist turk shfrytëzoi topi e spastruar keqazi me kokë nga Hamdi Salihi pas një goditje këndi, duke shënuar nga afër, dhe në fund të pjesës së parë gabimin fatal të portierit veteran Blendi Nallbani. Arkanduglu goditi me kokë dhe kolumbiani Penja edhe pse u përpoq ta largonte topin nga vija fatale u zhyt me gjithë të brenda. "E patë të gjithë, golat u pësuan nga gabimet. Ne nuk e nisëm ndeshje që nuk nisim aspak si inferiorë përballë Kajserisporit. Ishte një ndeshje që e filluam me iniciatëvë të plotë", - u shpreh trajneri i Tiranës, Josa, në deklaratën e tij për gazetarët. "Ishte një ndeshje që e filluam me iniciatëvë të plotë. Ekipi i Kajserisporit ishte një ekip shumë i kujdesshëm ashtu sic e kishim parashikuar. Por, mund të them edhe pse u ndëshkuam me golin e parë, ne sulmuam përsëri, teksa patëm edhe rast për të barazuar rezultatin. Goli i dytë na goditi". Josa ndihet i dorëzuar edhe për ndeshjen e dytë. "Është një rezultat që favorizon komplet ekipin e Kajserisporit. Në Turqi ne do të shkojmë për të luajtur një futboll të bukur", - mbylli deklaratën e tij ai. Kolegu i tij turk deklaroi: "Është një avantazh i madh dhe për ndeshjen e kthimit. Besojmë se duke shfrytëzuar avantazhin e ndeshjes së parë do të arrijmë të kalojmë në turin tjetër" . Tirana edhe njëherë duket se dështon në qëllimin e saj për të kaluar në turin e tretë. "Dua të falenderoj dhe tifozët për pjesëmarrjen dhe për mikpritjen. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ne në ndeshjen e kthimit", - përfundoi trajneri turk.
Dash Frasheri
Tirana-Kajzerispor 0-2
Golat: Hanifi 25', 45'
Gjyqtarët: Ferenci Bede (Hung), Tibor Vamos (Hung), Peter Hegui (Hung)
Kartona të verdhë: Penja, Bulku/ Johnson, Cailan
Tirana: Nallbani, Pisha, Sina(Merkoci 62'), Penja, Hajdari, Allmuca, Bakalli(Fish 60'), Bulku, Muka, Sinani, Salihi
Kajzerispor: Ivankov, Sadygov, Toskali, Johnson, Delio Rodas, M.Topuz, Bastag, Kavianpour(Jedek 80'), Cailan, Gokhan(Iglesias 86), Hanifi (Parlak 70')