E Shtunë, 31 Tetor 2026

Magath: Një Bajern sulmues, peng i kundërshtarëve

Trajneri i Bajernit të Mynihut, Feliks Magath, tha se ai do të dëshironte që skuadra e tij të luante një lojë më të hapur dhe më sulmuese, sesa c'ka bërë në të shkuarë, por, i trembej faktit që kjo nuk do të ishte e mundur, sepse janë të shumta skuadrat që e mbështesin lojën e tyre te prishja e lojës së kundërshtarit. "Ne duam të luajmë një lojë më tërheqëse dhe këtë e dëshirojnë lojtarët, trajneri dhe drejtuesit e klubit", - deklaroi Magath, në një intervisët të botuar në numrin e djeshëm të gazetës "Passauer Neue Presse".
"Dëshira për një lojë më sulmuese është mëse e përligjur, por shpesh nuk mund të bëhet realitet, sepse ndeshemi me skuadra që e kanë mbipopulluar mbrojtjen e tyre dhe sepse kushtet e fushave, sidomos në muajt shkurt apo mars, nuk e lejojnë një gjë të tillë, - vijoi kreu i pankinës së gjigandes bavareze, në intervistën e tij për gazetën gjermane. - Asnjë person që gëzon intelekt dhe arsye, nuk mund të presë që Bajerni i Mynihut të luajë një ndeshje të bukur në kushte të tilla."
Presioni për të luajtur një futboll tërheqës është rritur në Gjermani që nga koha kur përfaqësuesja vendase shkoi deri në gjysmëfinale të Botërorit 2006 me një mentalitet sulmues dhe si një nga përfaqësueset e pakta që luajti me dy sulmues të konfirmuar. Bajerni i Mynihut i ka fituar dy titujt e fundit të kampionit të Bundesligës, por ajo që ka spikatur në lojën e saj ka qenë mbrojtja e fortë dhe jo fuqia në sulm. Magathi deklaroi gjithashtu se Bajerni nuk ishte dorëzuar në synimin për të fituar trofeun e Ligës së Kampioneve.
Pavarsisht se drejtuesit e klubit duket se i kanë ulur synimet, pas eliminimeve të shpejta nga veprimtaria më e madhe e klubeve të Evropës, Magath këmbënguli: "Po e përsëris edhe një herë se edhe ne mund ta fitojmë Ligën e Kampioneve. Por, gjithcka duhet të funksionojë në mëyrë të përkryer, pasi niveli i lojës së skuadrave të mëdha është pak u shumë i njëjtë. Kjo do të thotë që s'mund të të jepet kundër një 11-metërsh i paqenë sic na ndodhi kundër Milanit, (në ndeshjen e parë, atë barazim 1-1, në cerekfinale më 21 shkurt 2006). Kemi parë Celsin të investojë shuma marramendëse në klub, por ende s'e ka fituar Ligën e Kampioneve."
Altin B. Kodra

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›