Bllokohet hetimi i “Gërdecit”, nuk ka para për ekspertët
Trazhgim Sokolaj
Institucioni i akuzës po kalon vështirësi financiare përballë hetimit të tragjedisë së Gërdecit, ngjarje për të cilën u vendosën nën akuzë ish-kupola e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Tragjedia shumëplanëshe duket se kërkon një hetim të tillë shumëplanësh, të cilit sipas të dhënave zyrtare, vështirë se do t’i përgjigjen mundësitë e Prokurorisë shqiptare. Në Prokurorinë e Tiranës është i hapur një procedim penal për mbivlerësimin e dëmeve në zonën e prekur nga tragjedia. Sipas hetimeve të deritanishme, shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm nga 30-50 milionë lekë të vjetra për pjesën më të madhe të banesave të zonës, ku dëmet janë faturuar më të mëdha sesa kanë qenë realisht. Për të verifikuar një skemë të tillë abuzimi nga grupet e vlerësimit, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar ngritjen e një grupi ekspertësh me gjashtë anëtarë. Secili prej tyre, kërkon të paguhet për punën që do të bëjë për llogari të Prokurorisë, në shumën e 150 mijë lekëve të reja. Me një përllogaritje të thjeshtë, prokuroria duhet të paguajë me 900 mijë lekë të reja grupin e ekspertëve që ata të shkojnë në zonë dhe të verifikojnë nga afër abuzimin dhe fryrjen e dëmit që shkaktoi tragjedia. Mirëpo një shumë e tillë duket tejet e lartë. “Nëntë milionë lekë të vjetra për një procedim penal janë shumë para. Nuk ndodh të kushtojë kaq shumë hetimi i një çështje”, thonë zyrtarë të Prokurorisë së Tiranës. Problematika me buxhetin e prokurorisë duket e pranishme për shumë çështje ndërsa pak kohë më parë, në Komisionin Parlamentar, Kryeprokurorja Ina Rama e bëri të ditur publikisht faktin se ulja e buxhetit të prokurorisë për këtë vit, do të pengojë hetimin e çështjeve të rëndësishme si ajo e Gërdecit.
Hetimi i tragjedisë
Zbardhja e tragjedisë së Gërdecit kërkoi ndërhyrjen e gjashtë ekspertëve amerikanë të Byrosë Kundër Alkoolit, Duhanit dhe Armëve, ATF. Agjentët e kësaj njësie qëndruan në Tiranë për më shumë se një javë duke ekspertuar kraterin e shpërthimit në Gërdec, me qëllim identifikimin e gjurmëve e provave që do të shpjegonin mekanizmin e ngjarjes. Ata arritën të saktësonin së shkëndija e zjarrit u shkaktua nga saldimi në një karrocë që transportonte barutin dhe më pas flakët u përhapën në barutin që gjendej i hedhur ngado të dysheme. Flaka mbërriti deri tek grumbulli i predhave aty pranë të cilat u aktivizuan dhe disa prej tyre qëlluan kontejnerët e mbushur me 700 tonë barut dhe të vendosur pranë fabrikës në krahun e djathtë të portës hyrëse. Është ende e paqartë nëse ekspertiza amerikane iu ofrua Prokurorisë shqiptare në formën e ndihmës ndërgjyqësore apo ishte një shërbim që u pagua, megjithatë ajo që është e sigurt është se ekspertiza të tilla kushtojnë nëse konsiderohet fakti se agjentët e ATF-së hartuan një raport mbi 700 faqe për ngjarjen, të cilin e sollën në zyrat e Prokurorisë në Tiranë. Po kështu grupe ekspertësh të ushtrisë, kanë vlerësuar vjetërsinë dhe vlerën financiare të municioneve, që çmontoheshin në Gërdec e po ashtu edhe kanë vlerësuar mekanizmin e aktivizimit të predhave në ekspertime të kryera në disa poligone të ushtrisë shqiptare.