Akuzat, edhe 17 ushtarakë në prokurori
TIRANE – Lista e personave të pandehur për tragjedinë e Gërdecit pritet të zgjerohet këtë javë edhe me 17 zyrtarë të strukturave ushtarake dhe ish-drejtues të strukturave në Shtabin e Përgjithshëm dhe repartet e angazhuara me transportimin e municioneve në Gërdec, përzgjedhjen e fishekëve dhe predhave që dërgoheshin për demontim. Ndërkaq anëtarët e dy komisioneve, ata që kanë bërë përzgjedhjen abuzive të fishekëve e predhave, por edhe specialistët që janë marrë me praktikën ligjore për ndërtimin e projekt-vendimeve e kontratave, që i hapën rrugën çmontimit në Gërdec, janë në listën e prokurorisë për t’u marrë si të pandehur. Organi qendror i akuzës javën që shkoi thirri në Prokurori ish-ministrin Mediu me dy ish-sekretarët e përgjithshëm të dikasterit, si dhe tre gjeneralë dhe tre kolonelë, të cilët u morën të pandehur për akuzën “shpërdorim detyre” lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Ata nuk i pranuan akuzat ndërsa Prokuroria konfirmon se ka prova për shkelje ligjore të kryera në bashkëpunim mes kupolës së ministrisë dhe ushtarakëve. t.s