Kosto, urdhër-shërbimet në 3 pikat e demontimit
TIRANE – Për të bërë një analizë më të hollësishme të asaj që ndodhi në Gërdec, por edhe një krahasim me atë standard që duhej krijuar aty për çmontimin e municioneve, anëtarë të grupit të hetimit, më shumë se tre herë, kanë qëndruar për ditë të tëra në kombinatin e Poliçanit, në kombinatin e Mjekësit në Elbasan apo edhe në Uzinën e Armëve në Gramsh. Prokurorët dhe oficerët e dërguar nga Tirana mbërritën atje dhe realizuan veprimet e nevojshme hetimore, duke verifikuar kapacitetin e çmontimit nga uzinat por edhe sasinë ditore dhe kushtet e vendosura të sigurisë, të cilat bënin dallim nga mënyra si realizohej procesi në Gërdec. Të gjitha këto shërbime, ashtu sikurse qëndrimi derë më derë në banesat e më shumë se 100 dëshmitarëve që u pyetën për ngjarjen pasi lanë spitalet, janë veprime hetimore që kushtojnë dhe faturohen me anë të urdhër-shërbimeve, dietave apo shpenzimeve për karburant dhe bazën materiale të nevojshme. Nga të dhënat e akuzës mësohet se prokuroria ka lënë keq, disa drejtime të tjera të punës së saj, për të plotësuar me sa mundësi ekzistojnë, nevojat për kompletimin e hetimeve të dosjes Gërdeci.