E Diel, 1 Nëntor 2026

“Investimet do jenë edhe më të mëdha, prosperiteti do të jetë në epiqendër të objektivave të Qeverisë”

10-10-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha inauguron rrugën Lapidar-Koritë-Liqenas, me vlerë 516 milionë lekë, në qarkun e Korçës

Kryeministri Sali Berisha nisi dje vizitën dyditore në Korçë, me inaugurimin e përfundimit të punimeve të rrugës Lapidar – Koritë – Liqenas, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 516 milionë lekë. Rindërtimi i rrugës Lapidar-Koritë-Liqenas, me gjatësi 20 kilometra dhe gjerësia 6.5 metra, do të lehtësojë komunikimin e rreth 40 mijë banorëve të komunave Pojan dhe Vreshtas, si dhe të fshatrave të komunave Çerrave dhe Liqenas. Nga ky investim përfitojnë në mënyrë indirekte edhe fshatrat e zonës së Devollit, pasi rruga përdoret gjithashtu si by-pass për të kaluar nga Qafë Plloça në rrugën nacionale Korçë-Bilisht. Në mënyrë të veçantë, ky investim i vjen në ndihmë fermerëve të kësaj zone të njohur bujqësore, pasi ndikon direkt në arritjen më shpejt të tregjeve, për shkëmbimin e produkteve bujqësore e blegtorale, si dhe për aktivitetet e tjera ekonomike.
Duke përshëndetur banorët e kësaj zone për përfundimin e këtij investim të rëndësishëm për fermerët e saj, por edhe për lëvizjen e nxënësve, kryeministri Berisha siguroi se qeveria do të vazhdojë investimet e saj në komunat dhe fshatrat e këtij qarku, por edhe në mbarë vendin, për të pasur të njëjtën infrastrukturë me lagjet e qytetit, në rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla etj.
“Korça është frymëzuese për shpirtin punëtor të njerëzve të saj. Në përpjekjen tonë, në përpjekjen e madhe shqiptare për të ndërtuar këtu një vend të zhvilluar, Korça qëndron në krye të kësaj përpjekjeje me kontributin e saj. Asnjë nuk ka ndryshuar më shumë jetën e vet, sesa e keni ndryshuar ju, qytetarët e Korçës, njerëz punëtorë që keni qëndisur këtë tokë dhe e keni shndërruar Korçën në një nga prodhuesit më kryesor bujqësor në Shqipëri, por edhe prodhues kryesor të mollëve në mbarë rajonin e Ballkanit. Gjatë këtyre viteve, ne kemi subvencionuar rreth 1600 hektarë mollë, vreshta e dru të tjerë frutore, si dhe blegtorë të ndryshëm që mbarështojnë lopë e tufa të imtash. Po ashtu kemi investuar mbi 25 milion dollarë në vaditje. Ju garantoj se do të investojmë në mënyrë që ju të keni vaditjen më moderne, do të subvencionojmë në mënyrë që ju të zgjeroni çdo vit, sipërfaqen e mbjellë me mollë e dru të tjerë frutorë. Ne kemi zbutur kredinë për 20 impiante ftohjeje në këtë qark. Ju duhet të jeni të sigurt se ne do t’i përgjigjemi të gjitha kërkesave tuaja. Informacionet që unë kam në tërësi janë thellësisht pozitive. Molla e Korçës po bëhet e famshme jo vetëm në rajon, por në mbarë Europën e në botë. Ata që duan të njohin shijen e mollës duhet të provojnë mollën shqiptare, mollën korçare, që unë nuk e ndryshoj kurrë”, u shpreh kryeministri.
Ai premtoi se “ne jemi përqendruar t’u ofrojmë juve, njerëzve punëtorë, atë infrastrukturë që kanë lagjet qytetit, me rrugë, ndriçim, ujë, shkolla. Në këtë kontekst, sot, në rrethin tuaj janë rindërtuar e ndërtuar nga e para 64 shkolla. Në të gjitha shkollat e vendit, lundrohet në internet. Interneti nuk është më një mollë e ndaluar. Të rinjtë shqiptarë po ecin me shpejtësi drejt teknologjisë së lartë. Këtë vit, ne kemi shumëfishuar numri e atyre që hyjnë në shkolla për teknologjinë e lartë. Po bëjmë gjithçka në mënyrë që ëndrra më e bukur e juaja dhe e të gjithë shqiptarëve, Shqipëria - vend i zhvilluar, të shndërrohet në realitet”, theksoi kryeministri.
Kryeministri Sali Berisha tha se në 5 vite qeveria ka investuar në rrethin e qarkut të Korçës plot 15 herë më shumë se 8 vitet e qeverisjes socialiste.
“Gjatë këtyre viteve, ne kemi investuar në komunat e rrethit e qarkut të Korçës rreth 15 herë më shumë se në tetë vitet e qeverisjes së mëparshme. Ne kemi asfaltuara e po përfundojmë rreth 390 kilometra rrugë, në qarkun e Korçës. Ne po investojmë mbi 135 milion euro vetëm në akset kombëtare të këtij qarku, të cilat bëjnë të mundur që qytetarët e Korçës të kursejnë në lëvizjen e tyre së paku 60 për qind të kohës së tyre të çmuar. Ne kemi investuar e investojmë në të gjitha rrugët rurale që lidhin komunat me akset kombëtare, që lidhin fshatrat e kësaj zone me komunat. Në qarkun e Korçës, ne kemi bërë investime serioze në ujësjellës, jemi përpjekur të zgjidhim problemin e ujit, kemi investuar mbi 150 milion euro dhe në tërësi, këtu jemi më mirë se në çdo rreth tjetër. Ndonëse sërish janë edhe disa fshatra që kanë nevojë për ujësjellës dhe unë ju garantoj se në këtë qark, brenda këtij mandati, ne do të rindërtojmë edhe ato pak kilometra rrugë që kanë mbetur, do të ndërtojnë edhe ujësjellësit, në mënyrë që investimet këtu të jenë në lartësinë e kërkesave, por, mbi të gjitha, të shpirtit tuaj punëtor”, tha ai.
Investimet vazhdojnë në shumë fronte, ndërsa ndërhyrjet më të rëndësishme po bëhen në aksin Qafë Plloçë – Qukës – Librazhd, i cili shkurton ndjeshëm distancën mes Tiranës dhe Korçës.
“Ne kemi ndërtuar unazën e qytetit, do të ndërtojmë unazën e Pogradecit, po investojmë nga Qafë Plloça drejt Tiranës, nga Qafë Thana drejt Pogradecit, kanë filluar punimet e autostradës Tiranë-Elbasan dhe vetëm investimi në këtë autostradë shkurton rreth një orë kohën që ju duhet juve për të shkuar në Tiranë. Pa llogaritur edhe investimin në autostradës Qafë Plloçë-Qukës”, theksoi kryeministri.
Ai garantoi se gjatë viteve të ardhshme investimet do jenë edhe më të mëdha, ndërsa prosperiteti dhe zhvillimi do jetë në epiqendër të objektivave të Qeverisë.
“Këto janë disa nga investimet që ne kemi bërë dhe ju garantoj se në vitet që vijnë, ne do të bëjmë investime edhe më të mëdha. Qëllimi ynë është një dhe vetëm një: prosperiteti, mëkëmbja e familjeve tuaja, mbrothësia e tyre. Ne duhet të bëjmë gjithçka të krijojmë sa më shumë të ardhura për familjet korçare dhe familjet shqiptare në tërësi. 20 vjet më parë ne ishim ndër vendet më të varfër të planetit, sot, ne kemi lënë mbrapa shumicën e vendeve të planetit. Sot, ne renditemi të 57-t në botë për jetesën më të këndshme. Sot, ne renditemi në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, por ne jemi të vendosur e të sigurt se me mundin dhe djersën tonë, do të jetë e afërt dita kur do të renditemi në grupin e vendeve me të ardhura të larta dhe i kemi të gjitha mundësitë, i kemi të gjitha kushtet. Ne i arritëm këto jo se ne kishim mbështetje të jashtëzakonshme financiare, jo se ne kishim ndonjë traditë të shkëlqyer në liri, por i arritëm, sepse ne ecëm me shpejtësi në zgjerimin e lirive tona. Ne i arritëm sepse vendosëm në themelet e ekonomisë sonë parime të ndershme e të drejta, se vendosëm në këtë vend sistemin fiskal më të ulët, sepse mbi shpatullat tuaja rëndon administrata më e vogël në rajon dhe një nga 10-të administratat më të vogla në botë. Ne i arritëm, sepse sot, nga vendi i mungesës totale të lirisë ekonomisë, hiperkolektivizmit total, ne renditemi të 30-t në botë për lirinë ekonomike, e cila vitin e kaluar, për shkak të krizës e ndërhyrjes së qeverive, ka bërë hapa të mëdha mbrapa në botë, në Shqipëri është rritur me 16 për qind. Por ne i arritëm të gjitha këto, para së gjithash e mbi të gjitha, për shkak të karakterit tuaj punëtor, të shpirtit tuaj të sakrificës, të solidaritetit tuaj familjar, të ambicies suaj për të ndryshuar me mund e djersë, çdo muaj, çdo vit, për mirë jetën tuaj. Roma nuk është ndërtuar në një ditë dhe ne, një ditë nuk mund ta ndërtojmë ëndrrën tonë, por askush në liri, nuk ka ndërtuar e po ndërton më shpejt ëndrrën e tij, sesa shqiptarët”, tha Berisha.
Duke bërë bilancin e qeverisjes 5 vjeçare, kryeministri tha se po kapet shifra e 9 mijë km rrugë të asfaltuara, ndërtuara dhe rindërtuara.
“Në këto pesë vite, me të ardhurat buxhetore, ne kemi asfaltuar, rindërtuar e po shkohet drejt 9 mijë kilometrave rrugë. Në rast se në vitin 2005, unë do të vija para jush e do t’u thosha se në 5-6 vjet, ne do ndërtojmë e rindërtojmë 9 mijë kilometra rrugë, a nuk do të qeshnit me këtë premtim? Por kjo ëndërr u bë realitet, se ju punuat, shqiptarët punuan, sepse qeveria ndërmori reforma të thella”.
Një tjetër tregues i rëndësishëm tha kryeministri është turizmi, ku nga 300 mijë turistë që vizitonin vendin në 2004-ë, në 2010-ën ai u vizitua nga 3.5 milionë turistë të huaj.
“Në vitin 2004, ne pritëm gjithsej 300 mijë turistë. Imagjinoni, në rast se në fushatën e vitit 2005, do t’u thosha se në vitin 2010 do të kemi 3.5 milion turistë, cili do të ishte ai që do ta besonte këtë. Ne e realizuam këtë, sepse  ndryshuam së bashku Shqipërinë, e bëmë anëtare të NATO-s, e bëmë atë me një infrastrukturë moderne, bëmë që Shqipërinë, bukuritë e saj mahnitëse, t’i njohin gjithnjë e më shumë qytetarë nga mbarë bota. Ju jeni dëshmitarë se vetëm në rrethin e Korçës, ne kemi bërë gjithçka për të shpalosur bukuritë e potencialet e saj turistike. Kemi ecur me rrugë të rindërtua drejt Voskopojës, Liqenasit, Pogradecit, Dardhës, Vithkuqit e së shpejti do të shkojmë drejt burimeve të Devollit që kanë mbetur ende pa u njohur. Një banor i Devollit, gjithnjë, më bën mesazhe, se nuk i keni parë burimet e Devollit dhe ka të drejtë, janë mahnitëse. Ne kemi pasur 3.5 milion turistikë, por edhe ju keni pasur një treg dy herë më të fuqishëm brenda vendit, për prodhimet tuaja dhe jam i sigurt, ju garantoj, se ky është vetëm fillimi, sepse potenciali i madh turistik i këtij vendi është edhe për tre herë më shumë turistë, gjatë 12 muajve”, u shpreh më tej kryeministri.
Vizita dy ditore e kryeministrit të Korçë mbyllet sot me vizitën në Universitetin e Korçës, për t’i përshëndetur dhe uruar studentëve të këtij universiteti dhe të mbarë vendit fillimin e vitit të ri akademik 2011-2012

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›