E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatët e PS, ultimatum Edi Ramës: “10 pikat nuk e zgjidhin ngërçin politik, prano konsensusin e PD”

10-10-2011 / Gazeta 55

Partitë e vogla të koalicionit të majtë politik vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj Partisë Socialiste, ndaj sjelljes së kësaj të fundit, aspak dinjitoze dhe të bindshme, edhe pse propagandoi për “kursin e ri” politik.
Aleatet e Partisë Socialiste e shohin me dyshim një bashkëpunim të mundshëm PS-PD, pas propozimeve që socialistet kanë ofruar përmes paktit prej 10 pikash, edhe pse në axhendën e Kuvendit ishin 12 pikat e Bashkimit Evropian, për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Kësisoj, kreu i Social Demokratëve, Skënder Gjinushi, thotë se ky pakt është vetëm një pjesë e 12 rekomandimeve nga ndërkombëtarët, që do të çonte sipas tij, vetëm në një zgjidhje të djeshme të krizës, por kurrsesi nuk është për qetësimin e ujërave të politikës dhe nisjen e një epoke të re bashkëpunimi mazhorancë – opozitë. Gjinushi thotë se PS duhet të pranojë ftesën e PD, për nisjen nga puna të reformës zgjedhore.
Të njëjtin qëndrim shpreh edhe kryetari i PDS-së Paskal Milo, i cili e sheh kompromisin si të nevojshëm për vendin dhe argumenton se kjo është rruga e vetme e zgjidhjes, në kushtet kur mazhoranca nuk po shfaq maturi.
Demokristiani Nard Ndoka, i kërkon opozitës të mos presë pafund për dialog kur vetë PD nuk paraqet interes për bashkëpunim.
Por pika, ku aleatet nuk ndajnë qëndrime të njëjta është kursi që po ndjek opozita. Gjinushi e kritikon atë, ndërsa Milo thotë se tensionimi i mëtejshëm i situatës do të sillte regres. Ndërsa për demokristianin Ndoka, pozicionimi i opozitës mund të ndryshojë, nëse nuk ka sinjale bashkëpunimi.
Aleatët ndajnë të njëjtin mendim edhe përsa i takon çështjes së reformës zgjedhore, teksa theksojnë se PS duhet të hartojë amendamentet duke dëgjuar në radhë të parë pretendimet e partive të vogla politike.
Në këtë sens Paskal Milo tha se është ende i freskët kujtimi i 3 viteve më parë kur PS bëri reformën zgjedhore vetëm me amendamentet e saj, pa marrë parasysh interesat e të vegjëlve.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›