E Diel, 1 Nëntor 2026

“Së shpejti miratohet ligji për përjashtimin 7-8 vjet nga taksat, për investimet në zonat malore”

10-10-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha viziton Dardhën

Pas inaugurimit të rrugës Koritë-Liqenas, kryeministri Sali Berisha u ndal dje në Dardhë. Kryeministri Berisha, i cili e konsideron Dardhën, krahas zonave të tjera malore të vendit Voskopojës, Valbonës, Thethit etj., një nga destinacionet më të bukura e piktoreske për t’u frekuentuar, u takua dhe bashkëbisedoi me banorë dhe vizitorë që ndodheshin aty për të kaluar fundjavën.
Duke vizituar një nga investimet e reja në hoteleri në Dardhë, kryeministri shprehu kënaqësinë që ai ishte një investim privat i një banori të zonës, por ndonëse Dardha, theksoi Kryeministri, po bëhet gjithnjë e më e frekuentuar, sërish mbetet një problem tradita e frekuentimit të zonave malore. Për të zhvilluar këto zona dhe turizmin malor, Kryeministri ritheksoi qëndrimin e qeverisë për të mbështetur me iniciativa ligjore investimet në këto zona, duke i përjashtuar ato për 7-8 vjet nga të gjitha taksat.
“Dardha është një nga vendet malore më piktoreske e më të bukurat e Shqipërisë, është një nga zonat më të frekuentuara, më të dëshiruara për qytetarët e Korçës, por që gradualisht po bëhet e njohur në Shqipëri e mbarë botën. Një rëndësi shumë të madhe ka që Dardha e të gjitha simotrat e saj të shumta malore, Gjinari, Çajupi, Qafë Shtama, Voskopoja, Valbona, Thethi të shpallen zona të lira pa taksa për 7 vjet, në mënyrë që investitorët të kenë një siguri për nxjerrjen e investimeve të rëndësishme që bëjnë. Ky është një hotel i mrekullueshëm dhe familja që ka ndërtuar atë e ka ndërtuar para së gjithash e shtyrë nga dashuria e madhe, sepse pronari i saj është nga kjo zonë, është dardhar, por gjithnjë mbetet problemi i traditës së frekuentimit të zonave malore”, tha kryeministri.
Ndaj, tha ai, qeveria shumë shpejt do të kalojë një ligj, sipas të cilit, çdo investim për qëllime turistike në zonë malore do të jetë për 7 deri në 8 vjet i përjashtuar nga të gjitha taksat. “Kjo është një mënyrë për të nxitur e stimuluar zhvillimin e tyre. Të mos harrojmë se pas përfundimit të rrugës Tiranë-Elbasan dhe rrugës Qafë Plloçë-Qukës, Dardha, në lartësinë 1600 metra, do mund të arrihet nga Tirana në një kohë përafërsisht 2 orë - 2 orë e 15 minuta. Po kështu edhe zona të tjera”, theksoi Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›