E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryediplomati shqiptar, Edmond Haxhinasto: Kërkesat e opozitës, pazare politike të papranueshme

10-10-2011 / Gazeta 55

Zëvendëskryeministri dhe njëherazi ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, e cilëson paktin e propozuar nga Edi Rama me 10 pika, si një lëvizje që s’është ndërmarrë për integrimin e vendit, por për interesa politike të kryesocialistit. Kryediplomati shqiptar përsëriti dhe njëherë apelin se integrimi i vendit kërkon bashkëpunim të sinqertë dhe zbatim të reformave dhe jo kushte apo parakushte në prag të vendimeve madhore të Brukselit. Kur kanë mbetur dhe dy ditë nga publikimi i Opinionit të Komisionit Evropian për progresin e Shqipërisë, Haxhinasto thotë se klasa politike i ka të qarta detyrat e saj. Sipas tij, 12 prioritetet duhet të jenë pjese e axhendës së opozitës dhe jo interesave politike. “Hapat që duhen ndërmarrë tashmë janë shumë të qarta. Ato janë vendosur para Shqipërisë prej një viti dhe realizimi i objektivave politike të opozitës, nëpërmjet një pakti të tillë, mendoj se nuk është një përqasje që i shërben integrimit, por i shërben interesave politike të opozitës. Paktin e opozitës, unë e shikoj në dy aspekte. E para është pozitive, pasi edhe pse është një veprim shumë i vonuar, por është një angazhim konkret; dhe e dyta është pesimiste, pasi hapat që duhen ndërmarrë janë shumë të qarta dhe ato janë vendosur përpara Shqipërisë. Mazhoranca e ka procesin e integrimit prioritet, por pa bërë asnjë koncesion për sa i përket parimeve demokratike, thelbit të reformave që janë paraqitur para shqiptarëve për rrugën drejt Bashkimit Europian. Pra, mazhoranca s’do lejojë që me interesat e shqiptarëve të bëhet Pazar politik. Kjo është e papranueshme”, u shpreh ministri i Jashtëm, Haxhinasto. Kryediplomati shqiptar e cilësoi si mjaft të rëndësishme pjesëmarrjen e Shqipërisë në Asamblenë e 66-të OKB si dhe në samitin edhe takime të tjera ndërkombëtare ku Shqipëria tregoi potencialet e saj të mëdha për integrimin në BE si dhe tregoi interes për thithjen e investitorëve të huaj. “Një pikë diskutimi ka qenë ekonomia, ku është diskutuar për rritjen e marrëdhënieve mes vendeve respektive dhe shtimin e shkëmbimeve tregtare. Integrimi i Shqipërisë ka qenë në krye të axhendës së takimeve me ministrat e Bashkimit Evropian. Një pikë tjetër e diskutimeve ka qenë edhe Kosova”, tha Haxhinasto. Për sa i takon një çështje të shumë debatuar si ai i regjistrimit të Popullsisë dhe banesave, Censusi “Shqipëria 2011”, ministri Haxhinasto tha se ky proces është keqpërdorur në mënyrë të padrejtë nga qarqe të caktuara, por në vetvete Censusi është thjesht një proces regjistrimi statistikor. Sipas tij, Censusi po ecën rregullisht dhe pa probleme, teksa 33 për qind e popullsisë është regjistruar. “Mund të them se deri në këtë momente ecuria e Censusit ka qenë shumë e mirë. Janë 33 për qind e qytetarëve të regjistruar. Problematike nuk është e tillë. Nga informacionet që kam për probleme të tilla si fotokopje formularësh, nuk përbëjnë analizë që të mos reflektojë në mënyrë realiste këtë realitet që ka struktura e popullsisë. Ndaj, nga informacionet që unë kam, gjithçka po shkon sipas planit. Ne jemi përpjekur në mënyrë të qartë që regjistrimi i Censusit të shërbejë si një proces statistikor”, deklaroi më tej ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›