Deklaratat për tekstet, ambasadori shqiptar jep shpjegime në MJ maqedonase

Arben Çejku
Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Çejku, do të japë sot shpjegime në Ministrinë e Jashtme maqedonase në lidhje me deklaratën e tij të fundit mbi tekstet shkollore në këtë vend.
Disa ditë më parë, Çejku shprehu shqetësimin e tij në lidhje me tekstet shkollore në Maqedoni, të cilat fyejnë historinë e kombit shqiptar. Në tekstet shkollore ka ende mbeturina nostalgjike të periudhës titiste, pati thënë Çejku në një intervistë.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme maqedonase nuk e priti mirë deklaratën e Çejkut, të cilën e konsideroi si kundër frymës së marrëdhënieve dypalëshe.
Ambasadori Çejku ka shprehur disa herë shqetësimin e tij mbi tekstet shkollore në Maqedoni, të cilat nuk reflektojnë aspak karakterin multietnik të këtij shteti. Në një deklaratë të tij në shtator, Çejku i kërkoi Ministrisë maqedonase të Arsimit që tu japë fund politikave diskriminuese që nisin që nga faqja e saj zyrtare.
Është e pakuptueshme se si mundet që në shekullin 21 të ketë ende profesorë dhe autorë tekstesh, të cilët veprojnë ende me reminishencat e kohës së shkuar të ish-Jugosllavisë, deklaoi Çejku.