E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana mposht Vllazninë, shkodranët zhyten në krizë

TIRANE- Tirana rikthehet në betejën për titullin kampion, duke dhuruar një paraqitje të madhe në Shkodër, përballë Vllaznisë. Skuadra kampione në fuqi ka fituar 1-0 në “Loro Boriçi”, duke marrë 3 pikë të tjera dhe duke shkuar minus 6 nga Dinamo kryesuese. Ndeshja mendohej si tepër e vështirë, duke qenë se shkodranëve u duhej patjetër të fitonin për të dalë nga zona e ftohtë, megjithatë edhe pas 90 minutave ata janë detyruar të dalin kokulur dhe të qëndrojnë në vend të fundit. Një pozicion aspak i zakonshëm për këtë skuadër, që pavarësisht krizës, ka në përbërje disa prej lojtarëve më të mirë të kampionatit. Takimi është vendosur nga një gol i Gjergji Muzakës në minutën e 28-të, pas një asisti të marrë nga Julian Ahmataj. Mesfushori bardheblu ka arritur të mposhtë në duel Smajlin dhe i vetëm me grimën e dërgoi topin në rrjetë. Për të ishte goli i dytë në dy javët e fundit, duke i dhënë Tiranës 6 pikë që e rikthejnë në betejën për majat e klasifikimit. Në krahun tjetër, Vllaznia mbetet në vend të fundit të renditjes me 7 pikë pas 9 javësh kampionat. Një ecuri që pritet të sjellë edhe masa nga klubi në javët e ardhshme.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›