Tirana, në protestë kundër prishjes së shtëpive nga kryebashkiaku Rama

Banorët e Laprakës po kundërshtojnë prishjen abuzive të shtëpive dhe kërkojnë dëmshpërblim nga Bashkia e Tiranës si dhe nga Banka Botërore. Kërkesat e ligjshme vijnë pas politikës bizantine të Edi Ramës dhe rrethit të tij të ngushtë të miqve, të cilët u zunë me presh në duar, teksa tentonin të privatizonin bregdetin e jugut të vendit, por u demaskuan pas projektit të Bankës Botërore për disiplinimin e turizmit.
Kryebashkiaku zbaton censurë staliniste me mediat e veta, duke bllokuar të gjitha kronikat televizive për protestën
TIRANE - Dhjetëra banorë të Laprakës kanë zhvilluar dje një protestë paqësore kundrejt prishjes së shtëpive të tyre nga ana e bashkisë së Tiranës. Sipas tyre zona në të cilën ata banojnë, ka qenë një projekt pilot i Bankës Botërore për kompensimin dhe cilësimin e saj. Megjithatë kjo duket se nuk e ka penguar bashkisë e kryeqytetit ka shkatërruar këto ndërtesa, të cilat ndodheshin në fazën e legalizimit që prej nëntë muajsh më parë.
Sipas banorëve për këtë duhet të përgjigjet Banka Botërore dhe bashkia e Tiranës, të cilët ende nuk kanë mbajtur një qëndrim zyrtar, ndërsa saktësojnë se banesat e tyre, tashmë të prishura, ishin në proces legalizimi.
Protestat e djeshme e banorëve të Laprakës, veç konfliktit me bashkinë dhe kryebashkiakun e Tiranës, si edhe kërkesave të tyre për dëmshpërblim nga Banka Botërore, ka zbuluar edhe një fakt tjetër, atë të urdhrit që Edi Rama, ju kishte dhënë dje, medieve të kontrolluara prej tij, që të mos e pasqyronin këtë protestë. Veç 2-3 televizioneve, që transmetuan protestën, mediat e tjera vizive, e injoruan këtë protestë, duke mos e pasqyruar, pse kishin marrë urdhër nga Edi Rama.
Duke rrëfyer për prishjen e shtëpive të tyre, banorët e Laprakës, tregojnë se janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, pa asnjë paralajmërim, pa asnjë shpresë a premtim mirëkuptues për hallin e pashoq të të qenit në mes të katër rrugëve me fëmijë e plaçka.
Përballë kësaj, në të drejtën e tyre, kërkojnë nga bashkia të kompensohen me fondet e parashikuara në financimin e Bankës Botërore të projektit rregullues të Tiranës, për banesat e tyre, të gjitha në proces legalizimi në momentin e shembjes
“I kemi dorëzuar të gjitha dokumentet në bashki dhe te ALUIZNI. Po presim. Kemi marrë vesh që ka një fond të Bankës Botërore për dëmshpërblim por nuk kemi marrë gjë, nuk kemi parë as dëmshpërblim e asgjë tjetër”, shprehet një banor i ngelur pa shtëpi.
“Nuk na kanë thënë gjë që do prishen që të paktën të kishim marrë masat. Kur i shkon bashkisë, bashkia nuk pranon”, shprehet një tjetër qytetar.
“Jemi në rrugë të madhe, 7 vetë jemi në rrugë të madhe. Duhet të na sigurojnë. Jemi njerëz nuk jemi kafshë”, shprehej dje një qytetar tjetër I ngelur edhe ai pa shtëpi
Përballë një situate të tillë, sekretari dhe juristi i njësisë bashkiake të Laprakës deklarojnë se në përgjigje të heshtjes së bashkisë kanë çelur një proces gjyqësor në mbrojtje të të drejtës së banorëve.
Sekretari i minibashkisë nr. 11 Isa Doçi, bënë ët ditur se, “këtu ka një projekt pilot dhe dikush duhet t’i përgjigjet kësaj. Në mënyrë arbitrare është ndërhyrë nga kryetari I bashkisë së Tiranës”.
Ndërsa juristi i minibashkisë nr. 11 shprehet se, “kryetari i bashkisë së Tiranës ka shkelur ligjin dhe ne i jemi drejtuar organeve kompetente dhe gjykatës dhe kemi hapur një çështje penale bazuar në të gjitha dokumentacionet që kemi grumbulluar”.
Janë shumë banorë, që përfaqësojnë rreth 30 familje të Tiranës, saktësisht në Laprakë, te Bërryli dhe Kodra e Priftit, viktima të shkatërrimeve të banesave të tyre nga Edi Rama, do kërkojnë kompensim nga Banka Botërore, sepse janë prishur gjatë hartimit të planit rregullues të Tiranës, me fonde të administruara nga Banka Botërore.
Ndërkohë, “epidemia” e kërkesave për dëmshpërblim nga Banka Botërore, ka mbërritur edhe në Durrës.
Në këtë qytet, janë 15 banesa që u prishën rreth dy javë më parë, ndërkohë që BB po financon hartimin e planit rregullues. Banorët e këtyre banesave, të cilët kanë bërë ët ditur se shtëpitë e tyre ishin në proces legalizimi, kanë bërë të ditur se do të kërkojnë edhe ata kompensim nga Banka Botërore, si financuesja e prishjes së strehëzave të tyre.
E gjithë kjo ruletë kërkesash nuk ka lidhje drejtpërdrejt me organizmat ndërkombëtare, por është fryt e një politike bizantine të Edi Ramës dhe rrethit të tij të ngushtë të miqve, të cilët u ndjenë të zënë me presh në duar në shpërdorimin që kishin planifikuar të bënin në bregdetin e jugut të vendit, dhe projekti i Bankës Botërore ua hodhi në erë të gjitha përpjekjet.