E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana në zonën europiane, Besa fiton në Laç

TIRANE- Tirana ka mposhtur 1-0 Gramozin, duke rimarrë vendin e tretë në Superligë. Takimi i zhvilluar në “Qemal Stafa” nuk ka dhuruar shumë emocione, ndërsa bardheblutë i janë falur një goli të shënuar nga Blerti Hajdari në pjesën e parë. Në tribunë ka qenë edhe trajneri i kombëtares Josip Kuzhe, i cili nuk ka mbetur shumë i kënaqur me atë çfarë dhanë dy skuadrat në fushën e lojës.

Gramozi nuk ka treguar në asnjë moment shenja dorëzimi, duke i vënë jo pak në vështirë bardheblutë, megjithatë 3 pikët i shkuan skuadrës së Starovës, që parakalon Laçin në renditje. Skuadra kurbinase u mposht 1-0 nga Besa në shtëpi, falë një goli të Alban Dragushës në minutën e 73-të. Ndërkohë, në takimet e tjera, Vllaznia dhe Flamurtari nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në “Loro Boriçi”, në një takim mjaft të vështirë për të dyja skuadrat. Memelli për vlonjatët dhe Shtubina për shkodranët ishin autorët e golave në këtë takim.

Në Durrës, në një tjetër sfidë për mbijetesë, Teuta dhe Skënderbeu barazuan pa gola, ndërkohë që Apolonia arriti të fitonte 2-1 ndaj Kastriotit në Fier, në një ndeshje tejet të tensionuar. Fitore ka arritur edhe Shkumbini, që në Peqin nuk e ka patur të vështirë të thyejë 1-0 Dinamon, falë një goli të Mustafajt në minutën e 22-të. Java e ardhshme e Superligës do të luhet ditën e premte, ku sfida kryesore do të jetë ajo mes Besës dhe Tiranës në Kavajë.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›