E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana nje Big ne turin e trete

Pas kalimit të turit të parë kualifikues, tashmë për Tiranën nis sfida e vërtetë në Europa League. Bardheblutë do të luajnë kundër Alesund, një rival që për hir të së vërtetës edhe pse nuk cilësohet si një emër me peshë në futbollin kontinental, mbetet një skuadër e frikshme.

Por, Tirana duhet të provojë shanset e saj, të luajë edhe mbi kapacitetin. Kjo për faktin se mes rivalëve të turit të tretë të aktivitetit janë skuadra prestigjioze si Interi, Liverpuli, Marseja, Atletik Bilbao apo Hanoveri sa për të përmendur disa.

Listës i shtohen edhe emra si PAOK Selanik, Steaua e Bukureshtit, Sparta e Pragës, Herenveni, Bursaspori, Genk, Rapidi i Vjenës e Dinamo e Moskes. Përballjet me këta kundërshtarë do të ishin pa dyshim sfida luksi, një vitrinë e mirë për lojtarët, e mbi të gjitha do të siguronin të ardhura të rëndësishme për klubin.

Për këtë arsye sforco ekstra përballë Alesundit nuk duket një kërkesë e ekzagjeruar. Kjo pavarësisht faktit se faktorët që flasin kundër 24 herë kampionëve janë të shumtë. Duke nisur nga fakti që norvegjezët janë thuajse në mesin e sezonit, pasi kanë luajtur 14 ndeshje në kampionat.

Tirana i ka të gjitha arsyet përse të shqetësohet edhe përsa i takon kontingjentit të saj. Mungesa e Pishës të skualifikuar dhe fakti që Sina e Dushku, të cilët pritet të rikuperohen, por nuk do të jenë në formë optimale, janë disa nga dhimbjet e kokës për trajnerin Hulian Rubio.

Një tjetër statistik që duhet mbajtur parasysh është edhe ecuria e fundit e Alesund në ndeshjet ndërkombëtare. Në edicionin e kaluar të Europa League, kjo skuadër e nisi aventurën nga turi i parë kualifikues dhe arriti deri në fazën “play-off”. Mes emrave që të besuarit e teknikut Rekdal kaluan ishin hungarezët e Ferencvaroshit dhe suedezët e Elfsborg, ndërsa ata u eliminuan vetëm nga holandezët e AZ Alkmar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›