E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tirana, qyteti me ajrin më të ndotur në vend

Matjet më të fundit të kryera gjatë një jave nga specialistë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se ndotja është 30 % më e lartë se normat e lejuara nga Bashkimi Europian.

Sipas specialistit të OBSH-së, Dr. Michail Krzyzanovski, "nëse do të shihen rezultatet e deritanishme, mund të themi se nivelet e treguara, kapërcejnë së tepërmi normat e lejuara të BE-së dhe udhëzimet e OBSH-së. Matjet tregojnë një ndotje 20-30 % më të lartë, ndërsa ndotësi më problematik në Tiranë janë grimcat e imta me prejardhje të ndryshme".

Ndërkohë, sa u takon monitorimit më të fundit në rang vendi, të realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik, rezulton se "Tirana me ndotjen nga LNP (lëndët e ngurta pezull, ose grimca totale) rezulton me një mesatare 323 µg/m3, ndërkohë që normat e Bashkimi Europian janë 80 µg/m3 dhe ato shqiptare 140 µg/m3".

Specialistët e shëndetit publik thonë se ndotja nga PM 10 (grimcat e respirueshme) shënojnë vlerën 148 µg/m3, ndërsa normat e lejuara nga BE- janë 50 µg/m3 dhe ato shqiptare 70 µg/m3".

Tirana është i vetmi qytet që i ka kaluar normat e BE-së edhe sa i takon ndotjes nga dioksidi i azotit, NO2. Të dhënat nga monitorimi tregojnë se vlerat mesatare e NO2 në Tiranë ka arritur në 52 µg/m3, nga 40 µg/m3 që janë normat e BE-së.

E njëjta problematikë vërehet edhe për përmbajtjen e benzenit C6H6 në ajër, që është një ndotës me veti të njohura kancerogjene.

Dy aparatura të monitorimit të ajrit u vendosën rreth një javë më parë pranë ISHP-së dhe pranë Poliklinikës Qendrore në Tiranë, të cilat do ndihmojnë për të identifikuar nivelet e ndotjes së ajrit në Tiranë.

Përmes këtyre stacioneve, për herë të parë do të mundësohet monitorimi i grimcave të imëta e super të imta PM 2.5 e PM 1, mjaft të rëndësishme në pikëpamje shëndetësore për popullatën, si edhe i oksideve të azotit NOx, monoksidit të azotit NO, benzenit C6H6, toluenit C6H5CH3 dhe ksilenit C6H4(CH3) 2.

Monitorimi në rang vendi

Rezultatet e monitorimit të cilësisë së ajrit për vitin 2009 në gjashtë qytete, Shkodër, Durrës, Tiranë, Fier, Korçë dhe Vlorë, konfirmojnë se nivelet e ndotjes së ajrit janë të lartë, veçanërisht lidhur me grimcat e ngurta.

Të dhënat nga monitorimi tregojnë se përmbajtja e grimcave totale (LNP) dhe atyre të respirueshme (PM 10) në atmosferat urbane të qyteteve të monitoruar prej Institutit të Shëndetit Publik vazhdon të jetë ende në vlera mbi normat e lejuara të BE-së.

Ndërkohë, bazuar në të dhënat, rezulton se nuk vihet re ndryshim statistikor i përmbajtjes së këtyre vlerave brenda 5 viteve të fundit. Kështu, në vitin 2005, vlera mesatare në rang vendi e PM10 shënonte vlerën 100, në 2006, 105, në vitin 2007, 107, ndërsa në vitin 2008 arriti në vlerën 114, dhe në 2009, 112.

Krahasuar me normat e lejuara të vendeve të BE-së, përgjithësisht ato janë 2-3 herë më të larta.

Nga ana tjetër, përmbajtja e NO2 (dioksidit të azotit) në ajrin urban të qyteteve të monitoruara jo vetëm nuk ka zbritje, por rritet në mënyrë të vazhdueshme si rezultat i shtimit të trafikut automobilistik dhe mosrealizimit të masave efikase për kontrollin e gazeve të tij.

"Përmbajtja e dioksidit të azotit NO2 po rritet gradualisht, gjë që shpreh ndikimin vendimtar të shkarkimeve të automjeteve në rritjen e përmbajtjes së tij në ajër", theksojnë specialistët, sipas të cilëve, "me këto ritme rritje brenda pak vitesh edhe ky gaz toksik do të kapërcejë normat e BE-së në ajrin urban të qyteteve kryesore te ne".

Përbërësit e tjerë të ajrit të monitoruar gjatë vitit 2009 janë përgjithësisht brenda normave të lejuara respektive.

Shkaktarët e ndotjes së ajrit

Specialistët pohojnë se "tërheq vëmendjen fakti se përmbajtja në ajrin urban e grimcave (totale LNP e të respirueshme PM 10), si edhe e gazeve të krijuar kryesisht prej trafikut (NO2) nuk po njohin asnjë ulje". Ky fenomen, sipas tyre, është indikator i mos efikasitetit të masave të deritanishme për luftimin e ndotjes së ajrit. Nisur nga kjo situatë, specialistët pohojnë se "duhen ndërmarrë veprime reale teknike e administrative për përmirësimin e gjendjes".

Tre shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit, sipas specialistëve të mjedisit, janë automjetet e vjetra, trafiku i makinave, ndërkohë që faktor tjetër i ndotjes janë edhe ndërtimet, të cilat nuk zbatojnë kriteret për të evituar ndotjen, apo djegia e mbeturinave vend e pa vend.

Sa i takon ndikimit në shëndet, ndotja e ajrit pakëson jetëgjatësinë e banorëve, në avancimin dhe keqësimin e sëmundjeve kardiovaskulare e respiratore, si dhe gravizon frekuencën e ashpërsinë e simptomave azmatike e të sëmundjeve akute respiratore të fëmijëve.

Specialistët e shëndetësisë paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë në kryeqytet do të jetë 1- 2 vjet për çdo banor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›