“Topi të mblidhte më parë partitë”
BLEDAR HOTIIsh-presidenti Rexhep Meidani kritikon Bamir Topin për pasivitetin e treguar në lidhje me krizën politike duke mos ndërmarrë rolin e ndërmjetësit për zgjidhjen e ngërçit politik. Meidani e ka cilësuar të vonë, si të kaluar nga koha idenë e zgjidhjes ndërhyrjes së kreut aktual të shtetit, pasi Kushtetuta ia jep një të drejtë të tillë dhe se nuk duhej pritur rezoluta e Këshillit të Evropës. “Unë do të thosha se sa ka kaluar koha, por atë rol tani ai mund ta luajë më lehtë dhe nga rezoluta përkatëse e Këshillit të Evropës. Duhet të ishte pjesë e krizës dhe kohë më parë, sidoqoftë ai mund të japë kontribut relativisht pozitiv edhe në fazën aktuale, sepse në gjykim tim është një ngërç që duhet të zgjidhet, është një ngërç që nuk i shërben Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptare, por nuk i shërben as partive politike”, theksoi Meidani. Ish-kreu i shtetit, nisur nga deklarimet për lëshime të posteve institucionale për opozitën si presidenti apo prokurori i përgjithshëm, doli dje haptazi kundër atyre pazareve politike në kurriz të Kushtetutës shqiptare. “Unë jam kundra. Për të zgjidhur shumë çështje që lidhen vetëm në çështje të aspektit institucional dhe politik nuk duhet të ketë kushtëzime për sa i përket institucioneve politike. Në gjykimin tim Shqipëria nuk është në atë fazë ku mund të bëhen, le ta quajmë pazare, apo kompromise mes forcave politike në lidhje me institucionet politike. Institucionet kryesore politike janë të garantuara nga Kushtetuta dhe çdo pazar që prek Kushtetutën e Shqipërisë, natyrisht nuk i shërben zhvillimeve demokratike dhe nuk i shërben as protagonistëve kryesorë të jetës politike aktuale”, theksoi Meidani. Ndërsa në përgjigjet për gazetarët, anëtari i Asamblesë së PS-së nuk mund lindte pa përmendur dhe rezervat e tij në lidhje me vendimin për bojkotin për Parlamentin. “Ishte një vendimmarrje relativisht jo e drejtë vendimmarrja e PS-së për të bojkotuar që në fillim parlamentin, do të përfshihesh në procesin parlamentar për të rezultuar pikësynimet kryesore në mënyrë të veçantë transparencën për procesin zgjedhor”, thekson Meidani. Ndërsa e cilëson të drejtë kërkesën për hapjen e kutive të votimit që u përdorën në zgjedhjet e 29 qershorit. “Unë e quaj fare normale hapjen e kutive të votimit, nëpërmjet një bashkëveprimi të forcave politike, sepse hapja e kutive i shërben transparencës së procesit zgjedhor, por paralelisht ndihmon dhe qytetarin për votën që jep”, thekson ish-presidenti. Rezoluta më e fundit e Asamblesë së Këshillit të Evropës i kërkon partive politike të ulen në një tryezë të përbashkët duke pasur si negociator kreun e shtetit shqiptar, Bamir Topi.