KiE: Komiteti presidencial të shkojë në Shqipëri në mbështetje të Topit
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i kërkoi Komitetit të saj presidencial, shoqëruar me bashkëpunimin e Komitetit të Monitorimit të raportuesit për Shqipërinë, Jako Laakso dhe David Uillshir, të vizitojë Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur. Përmes një deklarate të bërë publike, ardhja në Shqipëri e këtij delegacioni duhet të bëhet në mbështetje të procesit të zgjidhjes së situatës aktuale politike dhe për të ndihmuar Presidentin Topi në rolin e tij të ndërmjetësimit dhe përpjekjet e tij për të rivendosur dialogun politik. Komiteti Presidencial përbëhet nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare, krerët e grupeve politike dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Torbjorn Jagland, një ditë pas miratimit në Asamblenë Parlamentare të një rezolute që i bën thirrje palëve të gjejnë një zgjidhje urgjente për krizën politike në Shqipëri, tha dje se situata në Shqipëri e shqetëson shumë. “Nëse parlamenti nuk kryen funksionin e tij, atëherë këtë rol do ta marrin të tjerët, nuk di të them se çfarë lloj forcash, por një gjë e tillë do të ndodhë”, paralajmëron Jagland. “Duket tashmë si një traditë shqiptare bojkotimi i punimeve të Parlamentit nga ana e opozitës. Mua nuk më pëlqen kjo gjë, nuk mendoj se i shërben vendit dhe popullit”, u shpreh zyrtari i lartë i KiE-së. Sekretari i Përgjithshëm i KiE-së premton asistencën e organizatës së rëndësishme evropiane në tejkalimin e kësaj krize, por njëkohësisht këshillon forcat kryesore politike të marrin vetë përsipër përgjegjësitë, në vend që të kërkojnë ndihmë nga jashtë. Sipas tij, monitorimi i Këshillit të Evropës ndaj Shqipërisë do të vazhdojë përsa kohe ai të jetë i nevojshëm. Asambleja i bëri thirrje qeverisë shqiptare dhe opozitës “për t’i dhënë fund krizës aktuale politike në vend dhe për të marrë përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të vazhdohet me reformat e nevojshme jetike”. Në veçanti, Asambleja i bëri thirrje Qeverisë “për të ngritur, pa vonesa të mëtejshme, një komision parlamentar hetimor mbi zgjedhjet e qershorit 2009”, dhe i bëri thirrje opozitës “që të kthehet në Parlament dhe të angazhohet plotësisht në punën e saj”. Asambleja ka theksuar se “mungesa e dialogut parlamentar pengon seriozisht funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore”. Më tej ajo shpreh keqardhjen se, “në mungesë të ndonjë dialogu kuptimplotë parlamentar, retorika nxitëse është duke u përdorur gjithnjë e më shumë nga të gjithë të përfshirët”. Kjo, tha PACE, “mund të destabilizojë më tej vendin”. a.l.