U shtir si klient, rrëmben me dhunë taksinë
Një taksist mbeti viktimë e një grabitjeje në Tiranë, pasi u plaçkit përmes dhunës nga një klient i shtirur, i cili arriti të zhduket me makinën e vjedhur deri në Durrës ku edhe policia bëri zbulimin dhe kapjen e tij. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës thanë dje se nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.5 u bë arrestimi i 21-vjeçarit Vladimir Xhemal Peposhi, lindur në Kukës dhe banues në Domje 1, pranë kryeqytetit. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, rreth orës 02:30, në Rrugën e Durrësit. Atje i riu ka kërkuar për një taksi dhe ka rënë dakord për pagesën për të shkuar deri në fshatin Domje 1. Sapo kanë mbërritur në destinacion ka vjedhur mjetin me dhunë dhe më pas është larguar me shpejtësi. Por vetëm pas disa orëve, Peposhi, së bashku me mjetin, ka rënë në pranga në afërsi të stacionit të trenit në qytetin e Durrësit.