Fabian Duro, përfaqësuesi i Shqipërisë në botëror
“Street Style”
Fabian Duro është fituesi i finales “Red Bull Street Style” të zhvilluar në Tiranë. 21-vjeçari do të jetë përfaqësuesi i vendit tonë në botërorin që do të zhvillohet në Kejp Taun të Afrikës së Jugut më 26-28 prill. Pas pesë muajsh kërkime në Shqipëri dhe Kosovë, për të gjetur talentet e kësaj disipline të veçantë, 25 më të mirët janë vendosur përballë njëri-tjetrit në kryeqytet, ku konkurruan për të fituar një vend në finalen kombëtare. Për të treguar klasin e tyre në xhonglimin e topit dhe kryerjen e kombinacioneve të ndryshe, të pranishëm ishin edhe pesë konkurrentë nga Kosova, ndërsa dy vëllezërit Kondakçiu kishin udhëtuar nga Athina. Pas gjykimeve të jurisë së përbërë nga gazetari i mirënjohur sportiv, Dritan Shakohoxha, ish-lojtari i Kombëtares, tashmë në rolin e opinionistit sportiv, Redi Jupi, dhe pionieri i disiplinës “Brake Dance” në Shqipëri, Tan Brama, u kualifikuan vetëm 16 prej konkurrentëve. Në gjysmëfinale u përballën Fabian Duro, vëllezërit Enrik e Ertil Kondakçiu dhe Holkid Selmani. Pas dueleve tepër të forta dhe spektakolare, fitues u shpall Duro, i cili ka fituar edhe një “biletë” për aktivitetin më të rëndësishëm të kësaj disipline: Botërorin në Afrikën e Jugut.
#