E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaksina antigrip rezulton joefektive për qytetarët



Vaksina antigrip rezulton joefektive për një pjesë të madhe të qytetarëve që kanë marrë dozën në kohën e duhur. Specialistët e Spitalit të Pediatrisë shprehen se vaksina nuk ka dhënë efektin e duhur te qytetarët që kanë kryer vaksinimin, sipas udhëzimeve të specialistëve. Mjekët deklarojnë se pranë spitaleve apo poliklinikave të lagjeve drejtohen qytetarë që janë të prekur nga virozat e stinës, ndërkohë që ata pohojnë se kanë kryer vaksinimin. Mjekët bëjnë të ditur se raste të tilla janë paraqitur shumë dhe sidomos në Pediatri. Pak ditë më parë, specialistët e ISHP-së sqaruan se vaksina antigrip mbron nga tre grupe virusesh, ndërsa në qarkullim ka disa lloje virusesh gripale. Sipas tyre, ata që kanë kryer vaksinën antigrip, vuajnë nga një prekje më e lehtë e gripit krahasuar me personat e tjerë që nuk kanë marrë vaksinën ose nuk e kanë kryer atë në kohën e duhur. Aktualisht, në të gjithë vendin rezultojnë se ka rreth 40 mijë persona të prekur nga virozat e stinës. Këtë vit, numri i qytetarëve dhe fëmijëve që kanë kryer vaksinën kundër virusit të gripit është më i lartë se sa vitin e kaluar. Por, nga ana tjetër, edhe numri i të prekurve nga virozat për këtë vit është më i lartë se ai i vitit të kaluar. Specialistët bëjnë të ditur se muaji mars do të shënojë dhe numrin më të madh të pacientëve të prekur nga virusi i gripit.

QSUT, gjatë 2008-s rreth 500 vdekje në spitale
Gjatë vitit 2008, QSUT-ja shënon mbi 500 vdekje në të gjitha spitalet. Numrin më të lartë të vdekjeve e mbajnë urgjencat, ku paraqiten pacientët që janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Numri më i madh i vdekjeve shënohet në Urgjencën e Kardiologjisë, Pediatrisë dhe në Reanimacion. Sipas statistikave të Drejtorisë së QSUT-së, në këtë qendër spitalore kanë gjetur vdekjen rreth 597 pacientë. Mesatarisht rezulton se 1 deri në 2 pacientë humbasin jetën çdo ditë në një nga klinikat e Spitalit Universitar të Tiranës. Treguesit janë vlerësuar problematikë, ndërsa përsa u përket vdekjeve në Reanimacion treguesit janë më të ulët se një vit më parë. Kjo për faktin se në këtë shërbim ka pasur një përkujdesje për pacientët dhe një trajtim rigoroz të tyre. Specialistët e shpjegojnë këtë gjë se shtrimi në Reanimacion konsiderohet si stadi i fundit i shërbimit mjekësor. Vdekja e pacientëve shpjegohet dhe me problemet e mëdha që kanë pasur spitalet me aparatura, medikamente apo pajisje të ndryshme. Një pjesë e tyre nuk kanë mundur t’u shërbehen pacientëve në kohën e duhur, ndërsa familjarët janë detyruar gjatë gjithë kohës që t’i sigurojnë vetë.

3 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›