E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, 4 fëmijë jetojnë duke vjedhur: Lekët na i marrin persona të tjerë

TIRANË- Katër fëmijë të së njëjtës familje, pjesëtarë të komunitetit Rom janë kthyer në makthin e pronarëve të dyqaneve apo bizneseve të ndryshme në kryeqytet, për shkak të vjedhjeve që ata kryejnë.

Të intervistuar nga gazetari i News24, Spartak Koka ata rrëfejnë se arrijnë të vjedhin deri në 5 milionë lekë të vjetra në javë dhe se detyrohen nga persona më të rritur për të kryer këto veprime. Zona tek Libri Universitar është një nga qendrat ku këta fëmijë vjedhin.

Njëra prej tre është Rozeta 13-vjeçare dhe rrëfen se personat që e detyrojnë të vjedhin janë tre persona në moshë madhore me emrat “Fatjon, Selo dhe Shpëtim. Ata janë nga Berati, janë të mëdhenj. Unë vjedh që kur isha 5 vjeç. Vjedh së bashku me dy vëllezërit e mi dhe me kushëririn. Këta ia marrin mendjen shirësve, kurse unë hy brenda...këtë javë kam vjedhur shumë, deri në 5 milionë lekë, por lekët na i marrin ata...”, -rrëfen vajza.

Ajo shton se tani jeton në një barakë tek fusha e druve dhe se është arrestuar një herë për vjedhje. “Personat që na detyrojnë me vjedh na i marrin lekët, njëri e ka shtëpinë aty tek komisariati nr. 4. Mami më thotë të mos vjedh se do mbetem brenda që 16 vjeç...ndërsa babi më ka vdekur...sot nuk kam vjedhur gjë fare”, shton ajo.

Njëri prej djemve të mitur shton se, “kur e kam pasur shtëpinë tek Treni, ata na mashtronin dhe na merrnin lekët”

Por këta 4 fëmijë, përbëjnë një plagë sociale për shoqërinë tonë, si edhe një alarm për institucionet shqiptare. Ata lëshojnë apelin për një strehë. “Që tani le të na çojnë tek shtëpia e fëmijës”,- thotë Rozeta.

(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›