E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, 4 persona marrin peng një shtetas nën kërcënimin e pistoletës

TIRANË- Një person është marrë peng në rrethana misterioze pasditen e sotme në kryeqytet.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:50, ku  4 persona kanë grabitur nën kërcënimin e një pistolete një shtetas, të cilin e kanë detyruar forcërisht të futej në makinën e tyre, ku më pas janë larguar me shpejtësi.

Ende nuk ka detaje për ngjarjen, por burime policore bëjnë me dije se dyshohet se personi i grabitur është pronar i një llotoje në Tiranë.

Strukturat e policisë të komisariatit numër 4 në kryeqytet, pasi kanë marrë një telefonatë nga familjarët e personit të grabitur janë vënë menjëherë në punë për identifikimin dhe kapjen e pengmarrësve.

Uniformat blu kanë bërë të mundur shoqërimin në polici të disa personave të cilët mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Nga hetimet paraprake mësohet se pengmarrja ka ardhur si rezultat i mosmarrëveshjeve për një kontratë, ndërkohë që dëshmitarët kanë treguar në polici targën e pengmarrrësve.

Policia bën me dije se personat janë larguar në drejtim të Dajtit, ndërkohë që strukturat e policisë së komisariatit numër 2, 3 dhe 4 kanë bllokuar cdo rruge dytësore që do të bëjë të mundur lokalizimin e personave.

Mësohet se policia po negocion me njërin nga personat nëpërmjet telefonit.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›