E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango takim me misset e globit

 

30 bukurosheve nga gjithë globi, të cilat kanë pak ditë që kanë mbërritur në kryeqytetin shqiptar, iu është dashur paraditen e djeshme të presin rreth 20 minuta në ambientet e ministrisë, kreun e kulturës, Ylli Pango. Vonesë kjo falë një takimi tjetër të mëparshëm, të ministrit. Megjithatë dje në takimin e tij me konkurrentet e këtij edicioni të pestë që “Deliart Association”, organizon në Shqipëri, veç vonesën, Pango nuk ka ngurruar t’ju tregojë bukurosheve edhe për turizmin e Shqipërisë. “Shqipëria është një vend i bukur dhe në turin tuaj, kudo që të shkoni, do të promovoni bukuritë e vendit tonë”, tha ministri Pango gjatë kësaj pritjeje, duke ju bërë me dije edhe shifrat e turistëve të këtij viti. Ndërkohë producenti i këtij spektakli, Petri Bozo, u shpreh se “konkurrentet dhe të ftuarit, do të nisin të mërkurën turin në Shqipërinë Juglindore, Përmet, Ersekë, Voskopojë, Korçë, Pogradec, për të vazhduar më pas në Elbasan”. “Miss Globe International”, do të zhvillohet më 19 tetor, në Pallatin e Sportit në Tiranë, me pjesëmarrjen e rreth 40 misse nga 5 kontinente, 10 prej të cilave ende nuk kanë ardhur në Shqipëri. Ky aktivitet zbret për të pestin vit në Shqipëri. Edhe kësaj here, “Deliart Association”, mbajtësi i patentës për organizimin e spektaklit të bukurisë, i treti për nga rëndësia në rang botëror, zgjodhi ta organizonte këtë eveniment në Shqipëri, me besimin për të kontribuar në njohjen dhe integrimin e vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›