E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, 78-vjeçari mbyt gruan, i kërkoi të rikthehej në fshat

Për të treguar forcën e kryefamiljarit,
një i moshuar ka
vrarë bashkëshorten, pasi
ajo i ka kërkuar të shkojë
në fshatin e saj. 78-vjeçari nuk e ka
lejuar të shoqen të kryejë një veprim
të tillë dhe pasi ajo ka marrë
vendimin për t‘u larguar, ai ka
kapur për fyti, duke e mbytur. Zenepe
Sherri ka ndërruar jetë në
vend, ndërkohë që i moshuari ka
mbetur i shtangur, aty ku e ka gjetur
edhe policia. Ngjarja e rëndë ka
ndodhur në Sharrë të Tiranës, në
një banesë private, vetëm pak
metra larg varrezave. Pas kësaj
ngjarjeje të rëndë, autori Qani
Sherri i ka thënë nuses së shtëpisë,
të telefonojë policinë dhe të tregojë
se çfarë kishte ndodhur.
Burimet zyrtare nga Drejtoria e
Policisë së Tiranës bënë të ditur se
rreth orës 03.30‘ në vendin e quajtur
Sharrë, ka ndodhur një krim
brenda familjes. Sipas policisë, një
grua e re ka telefonuar në sallën
operative dhe ka treguar se vjehrri
kishte vrarë vjehrrën. Ajo ka
shpjeguar se ngjarja ka ndodhur
në vilë trekatëshe në Sharrë të Kombinatit.
Strukturat e hetimit të
krimit të Policisë së Tiranës, me
marrjen e këtij informacioni, shkuan
menjëherë në vendin e ngjarjes,
ku u shoqëruan edhe nga
forcat e Komisariatit Nr. 6. Nga hetimet
e kryera ka rezultuar se 78-
vjeçari Qani Sherri, lindur në Pogradec
dhe banues në Tiranë,
gjatë orëve të pasdites ka filluar të
grindet me bashkëshorten e tij,
Zenepe Sherri, 69 vjeçe, pasi kjo e
fundit ka kërkuar me këmbëngulje
që të largohej nga Tirana, për në
fshatin Losnik të qytetit të Pogradecit.
Sipas policisë, ajo kërkonte
shpeshherë të shkonte në këtë
fshat, pasi ishte shumë e lidhur me
banesën e vjetër, ku çifti kishte jetuar
për shumë vite.
Pas këtij sherri, gjërat janë qetësuar,
ndërkohë që rreth orës 02.00‘
të mëngjesit të djeshëm, ka filluar
sërish grindja mes bashkëshortëve.
Nga dëshmitë e mbledhura ka
rezultuar se sherri ka rifilluar pasi
Zenepe Sherri ka nisur të bëjë gati
valixhen meqenëse kishte marrë
vendim për t‘u nisur për në fshatin
Losnik të Pogradecit. Gjatë këtij
momenti, 78-vjeçari Sherri, duke
mos duruar situatën, ka kryer
krimin e rëndë, duke shtrënguar
prej fyti gruan e tij deri në arritjen e
asfiksisë mekanike. E si rezultat i
këtij veprimi, Zenepe Sherri ka gjetur
vdekjen e menjëhershme. Nga
specialistët e seksionit të posaçëm
kundër krimeve ndaj jetës dhe
shëndetit dhe grupit të posaçëm
hetimor të ngritur për zbardhjen e
rrethanave të plota për këtë ngjarje
të rëndë, u kryen të gjitha veprimet
hetimore, si dhe u bë grumbullimi
dhe marrja e të gjitha
provave materiale në vendngjarje.
Nga tërësia e provave të mbledhura
u bë arrestimi i Qani Sherrit nën
akuzën e konsumimit të veprës
penale "Vrasje me dashje".
Policia shpjegoi se në momentin
e sherrit në banesë ndodhej
vetëm nusja e njërit prej dy
djemve që ka çifti. Ajo ka qenë
duke fjetur gjumë në atë orë dhe
është zgjuar nga debati mes të
moshuarve. Por, ajo ka mbërritur
shumë vonë në dhomën e tyre pa
mundur të parandalojë këtë
vrasje. Ndërkaq, policia shpjegoi
se kufoma është dërguar në morgun
e Tiranës dhe ka dyshime se
vdekja e 69-vjeçares mund të jetë
shkaktuar edhe nga atak kardiak.
Sipas mjekësisë ligjore, gruaja
e moshuar, mund të ketë pësuar
ndonjë atak, në momentin
që burri i saj e ka kapur në shpatulla
pranë fytit dhe tronditur
disa herë, para se t‘i vendosë duart
në fyt. Megjithatë, fqinjët e
njihnin këtë familje si të urtë dhe
që nuk kishin krijuar asnjëherë
probleme për komunitetin. Ata
kishin gjendje mesatare ekonomike
dhe po punonin për rikonstruksionin
e vilës së tyre
trekatëshe, e cila kishte mbetur
prej kohësh e papërfunduar. Ngjarja
e rëndë ka tronditur gjithë
zonën, për shkak se nuk e prisnin
të ndodhte diçka e tillë, pikërisht
nga kjo familje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›