E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani: Zbatohen vendime të pabotuara në Fletoren Zyrtare

Socialistët ju rikthyen dje çështjes së akteve normative të shtetit që ende nuk janë botuar në Fletoren Zyrtare. Kreu i Komisionit të Ligjeve pranë PS-së, Ylli Manjani, i bëri me dije opinionit publik se që prej shtatorit 2005 e deri më sot janë 1010 nga mbi 2924 vendime normative të qeverisë, që nuk janë botuar në Fletoren Zyrtare. Gjithashtu, vijoi ai, denoncojmë se në inventarin e ligjeve të shtetit mungojnë dy ligje me numrat 9467 dhe 9664, që i përkasin vitit 2006. "Nëse ndokujt i bie rasti t‘i shohë këto ligje me këto numra, e këshillojmë të kenë kujdes se janë të pavlefshëm, tha Manjani, teksa sqaroi se nga të dhënat që kemi ne deri tani, na rezulton se nuk ka asnjë ligj të miratuar me këto numra. Pra, vijoi ai, këto numra janë bosh në protokollin e shtetit. Nuk e dimë ende se për ç‘arsye i ka ruajtur Kryetarja e Kuvendit. Kujtoj se botimi i vendimeve të qeverisë dhe e ligjeve të shtetit në Fletoren Zyrtare nuk është lënë në dëshirën e qeverisë, por është detyrim kushtetues", tha Manjani. PS kujton se neni 117 i Kushtetutës saktëson që aktet normative marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në Fletoren Zyrtare. Selia rozë denoncon edhe njëherë çështjen skandaloze të shkeljes së hapur të Kushtetutës nga Sali Berisha dhe vartësit e tij të verbër.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›