Standardi i zgjedhjeve, Rama takon Kryeministrin e Hungarisë
Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, vizitoi dje Budapestin, ku pati takime me kryebashkiakun Demski dhe Kryeministrin Gurcan. Në Bashkinë e Budapestit u diskutua për zhvillimin e një partneriteti që synon aksesin në fondet e Bashkimit Evropian për qytetet e vendeve jo anëtare, përmes bashkëpunimit mbi bazë projekti me qytete të vendeve anëtare. Kryebashkiaku Demski, i cili e qeveris kryeqytetin hungarez prej 18 vitesh, shtroi disa opsione të mundshme në kuadrin e këtij bashkëpunimi të veçantë dhe ofroi ndihmën e ekipit të tij, për të hartuar projekte konkrete zhvillimi me interes reciprok për Tiranën e Budapestin. Në takimin me Kryeministrin Gurcan, biseda u përqendrua te zgjedhjet e ardhshme dhe domosdoshmëria për të garantuar standardet e një vendi, që në prill do të jetë në NATO dhe që synon po ashtu integrimin në BE. Rama i shprehu partnerit hungarez shqetësimin për shenjat e papëlqyeshme të procesit të zvarritur, të pajisjes së zgjedhësve me karta identiteti dhe e siguroi Kryeministrin Gurcan për vendosmërinë e opozitës shqiptare, për të bërë gjithçka që vendi të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme dhe të shpejtojë hapat e tij drejt Bashkimit Evropian.