E Diel, 1 Nëntor 2026

Formatimi i qeverisë, gati dorëheqjet në stafet politike

Stafi politik në administratë, veçanërisht në ministritë që do të drejtohen nga aleatët, ka bërë gati tekstin e dorëheqjes për shkak të ndryshimeve në drejtim. Zbardhja e një pjese të kabinetit qeveritar detyron stafin politik t‘i paraqesë titullarit të ri dorëheqjen në ditën e parë të punës së qeverisë së re. Burimet sqarojnë se dikasteret që do preken më shumë nga vala e ndryshimit të drejtorive të nivelit më të lartë janë ministritë që janë kontrolluar gjatë katër viteve të mëparshme nga aleatët. Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mjedisit priten të jenë dy dikasteret ku stafi do të ndryshojë në mënyrë radikale. Pasi është zbardhur dilema se cilët portofola ministrorë do të marrin aleatët e PD-së, pikëpyetja më e madhe është se cilët do të jenë 10 ministrat që nën siglën e PD-së do të bëhen pjesë e Këshillit të Ministrave. Pjesë e ndryshimit priten të jenë të gjitha ministritë, përveç atyre ku titullarët sipas vendimit të Berishës nuk do të lëvizin as gjatë mandatit të dytë qeverisës. Gjithashtu edhe Kryeministria pritet të vendosë emra të rinj në pozicione këshilltarësh të Kryeministrit Berisha, por edhe në pozicionin e drejtorit të kabinetit të Kryeministrit, i cili mbahej nga Arben Imami, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Nëpunësit politikë në tre ministritë që priten të drejtohen nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe në Ministrinë e Mjedisit kanë përgatitur dorëheqjen për t`ia prezantuar në komunikimin e parë titullarit të ri. Stafi politik do t‘i bazohet statusit të administratës publike, ku në një kapitull të veçantë në statusin e nëpunësit civil është specifikuar që një nga arsyet e kërkesës së dorëheqjes së stafit politik është largimi i parevokueshëm për çështje politike. Ndërtimi i qeverisë së re dhe përbërja e saj me shumë eksponentë të rinj si tre përfaqësuesit e LSI-së dhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, priten të jenë në qendër të ndryshimeve në stafin e lartë drejtues në ministritë që ata do të drejtojnë. Stafi i këshilltarëve dhe i drejtorëve më të rëndësishëm të ministrive që do të drejtohen nga LSI dhe PR pritet të zëvendësohet nga përfaqësues të këtyre forcave politike. Përfaqësuesit e LSI-së dhe të PR-së janë bërë tashmë pjesë e merkatos së emrave dhe posteve që pretendojnë për qeverinë e re. Demokratët nga ana tjetër, janë duke bërë "nderet" e fundit për të punësuar mbështetësit e tyre të pozicionet e premtuara, ku pas marrjes së statutit të nëpunësit civil, as aleatët nuk do të mund të ndryshojnë dot përbërjen e ministrive që do të drejtojnë, në rast se janë të bindur për të respektuar marrëveshjen e nënshkruar me Kryeministrin Berisha. Nga eksperienca e viteve më parë, kjo marrëveshje nuk është respektuar kur Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut pozicionoi të gjithë mbështetësit e saj në pozicionet drejtuese. Po kështu veproi edhe Partia Demokristiane gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë, çka solli edhe zemërimin e demokratëve dhe të Kryeministrit Berisha për largimin e shefave të pavijoneve të larguar nga puna sepse ishin demokratë dhe zëvendësimi i tyre me militantë të Partisë Demokristiane. Rinovimi i qeverisë ka sjellë pas saj edhe rinovimin e strukturës drejtuese të ministrive dhe institucioneve të varura prej tyre. Rasti ndodhi me largimin e Genc Pollos nga Ministria e Arsimit, ku eksponentët e PDR-së, pas shkrirjes së partisë së tyre me Partinë Demokratike, u përballën me largimet nga puna, por edhe me "postbllokun" që demokratët vendosën pas debatit brenda llojit për të ripranuar ata që i kthyen shpinën PD-së në vitet më të vështira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›