Bogdani: Lacio e Tares do ketë fatin e Portugalisë
Jetmir Halilaj
Trajneri i Kievos ka vendosur t’i japë një shans Erjon Bogdanit, në ndeshjen e sotme kundër Lacios, pasi sipas të gjitha gjasave bomberi shqiptar do të luajë që nga minuta e parë.Bogdani ka premtuar se nuk do të zhgënjejë e se do të bëjë të pamundurën që ta ndihmojë skuadrën të marrë pikë. Nëse ai e realizon vërtetë këtë, atëherë do t’i japë një tjetër shuplakë Lacios së Igli Tares, së cilës gjatë javëve të fundit i ka munguar shkëlqimi i startit të sezonit. “Nuk e di nëse do të luaj, pasi trajneri na e komunikon formacionin titullar pak orë para ndeshjes, – ka thënë Bogdani dje, në konferencën për shtyp. – Por mund të them se ndihem shumë mirë fizikisht dhe nëse do të luaj si titullar, do të bëj maksimumin për të shënuar e për t’i ardhur në ndihmë ekipit që të marrë pikë përballë Lacios. Problemi që kisha në shpinë ka kaluar dhe tani jam në formë optimale. Shpresoj që të luaj e të shënoj nesër (sot), pasi skuadra ka nevojë për një rezultat pozitiv, i cili do të ndikonte pozitivisht edhe në moralin e lojtarëve”.
I pyetur nëse Kievo ka mundësi ta përballojë Lacion, që ka sulmin më të mirë në Itali, bashkë me Interin (15 gola), Bogdani është përgjigjur: “Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, pasi skuadra e Delio Rosit është shumë e fortë. Por, po ju them edhe këtë: Unë dy javë më parë luajta me Kombëtaren time kundër Portugalisë, madje në pjesën më të madhe të ndeshjes luajtëm me dhjetë lojtarë. Kishim përballë një skuadër me yje të kalibrit të Kristiano Ronaldos dhe na u desh të sakrifikonim e të lodheshim shumë; por në fund ata nuk ia dolën të na mundnin, kurse ne arritëm të merrnim një pikë. Dua të them se nëse luajmë me zemër mund t’ia dalim ndaj Lacios, por edhe ndaj çdo skuadre tjetër, që në letër duket më e fortë”. Kievo ka sulmin më të dobët në Serinë A, pasi skuadra veroneze ka shënuar gjithsej në tetë javët e para vetëm pesë gola, duke lënë pas vetëm Kaljarin që ka shënuar 4. “Po, është e vërtetë. Ne kemi probleme me shënimin e golit dhe nëse nuk arrin të shënosh, atëherë nuk ka se si të presësh fitore, – u shpreh trajneri i Kievos, Xhuzepe Iakini. – Kemi pasur disa lojtarë të dëmtuar, përfshi këtu edhe Bogdanin, por nuk është vetëm ky problemi. Skuadra në përgjithësi duhet të luajë me më tepër zemër dhe të luftojë deri në minutën e fundit. Shpresojmë që ndaj Lacios të tregojmë se kemi reflektuar si duhet, sepse nuk kemi kohë për të humbur”. Javën e kaluar në ndeshjen ndaj Kaljarit, ku Kievo humbi 2-0, Bogdani, megjithëse luajti vetëm 30 minutat e fundit të lojës, ishte një ndër të paktët që u vlerësua me notë kaluese te skuadra verdheblu. Iakini ka mbrojtur edhe njëherë zgjedhjen e tij, për ta lënë sulmuesin shqiptar në stol, ndaj thotë: “Bogdani kishte probleme me shpinën, ndaj edhe nuk mund ta aktivizoja nga fillimi. Megjithatë do të ketë hapësira në ndeshjet e radhës”.