Korrupsioni, arrestohet agjenti i SHISH dhe tatimori
Gjirokastër, Çalaj dhe Braho po i bënin shantazh një pedagogeje, të cilën e kishin filmuar në një pozicion komprometues
GJIROKASTËR- I bënin presion një pedagogeje me material filmik komprometues, përfundojnë në pranga një punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe një i tjetër i tatim- taksave. Të arrestuarit kishin siguruar pamje filmike të një pedagogeje që merrte ryshfet dhe i kërkonin asaj para në këmbim të pamjeve. Arrestimi është kryer në flagrancë, në momentin kur personat kanë marrë shumën prej 4 mijë eurosh, që kishin kërkuar në këmbim të mos bërjes publike të materialit.
Shantazhi
Prej disa kohësh, Adriatik Çalaj, 29 vjeç, punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Laert Braho, 30 vjeç, me detyrë inspektor në degën e Tatim- Taksave, të dy nga Gjirokastra ushtronin presion ndaj një pedagogeje të universitetit "Eqrem Çabej" me inicialet A.Sh. Një material i filmuar, që komprometonte pedagogen në detyrën e saj e që disponohej prej dy punonjësve të administratës ka qenë objekt i presioneve të vazhdueshme. Burime konfidenciale pranë policisë së Gjirokastrës kanë pohuar se në këtë material pedagogia ishte filmuar duke marrë ryshfet. Katër mijë euro kanë kërkuar dy të arrestuarit nga shtetasja A. Sh, në mënyrë që filmimet të mos bëheshin publike apo në rastin më të keq, të nisnin një procedim penal ndaj saj. E ndodhur përballë këtij presioni, pedagogia ka depozituar në policinë e Gjirokastrës një denoncim.
Operacioni
Pas marrjes së denoncimit për shantazhin që kryhej ndaj shtetases A. Sh nga dy personat, specialistë të Sektorit Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe specialistë të Departamentit të Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë kanë koordinuar veprimet dhe i kanë mbajtur nën vëzhgim shtetasit Adriatik Çalaj dhe Laert Braho për një periudhë dy javore. Pasi është konfirmuar se denoncimi ka qenë i vërtetë, është organizuar operacioni i koduar "Inteligjenca".
Në bazë të udhëzimeve të dhëna prej agjentëve policorë, pedagogia ka "pranuar" t'u japë personave shumën prej katër mijë eurosh, të kërkuar prej tyre, në këmbim të materialit filmik. Në vendin e përcaktuar ka shkuar 30- vjeçari Laert Braho, i cili në momentin e marrjes së kartëmonedhave është arrestuar në flagrancë nga agjentë policorë, që kanë qenë aty. "Shuma prej 4000 eurosh është marrë nga shtetasi Laert Braho për t'ia dhënë shtetasit Adriatik Çalaj. Në momentin që shtetasi Laert Braho ka marrë shumën e lekëve është arrestuar në flagrancë nga policia dhe shuma e lekëve është sekuestruar në cilësinë e provës materiale",- ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai, në lidhje me këtë ngjarje. Më pas në pranga ka përfunduar edhe punonjësi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Adriatik Çalaj, që dispononte materialin filmik komprometues, i sekuestruar gjithashtu në cilësinë e provës materiale. Mbi dy të arrestuarit rëndon akuza e korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike, kryer në bashkëpunim.