Kthehej nga pazari, vdes në aksident
FIER- Një aksident automobilistik ka ndodhur paraditen e djeshme në qendër të fshatit Qarr në Fier dhe si pasojë ka gjetur vdekjen një 58- vjeçar banor në këtë fshat. Sipas policisë rrugore, viktima i quajtur Adriatik Ferko në momentin e aksidentit ka qenë duke udhëtuar me një biçikletë. Ai po kthehej nga tregu në drejtim të shtëpisë kur një furgon me targa "FR 42 55 C" që drejtohej nga shtetasi Agim Lamaj e ka marrë përpara duke e tërhequr zvarre për rreth pesë metra duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Viktima kishte qenë në tregun ku zhvillohej çdo ditë të shtune në qendër të fshatit. Pasi kishte bërë pazar ishte nisur në drejtim të banesës së tij. Drejtuesi i furgonit, Agim Lamaj, me profesion shitës artikuj të ndryshëm ushqimorë sapo ishte mbyllur tregu është nisur në drejtim të Levanit ku dhe banonte. Në afërsi të shkollës së këtij fshati, ai ka humbur vëmendjen nga drejtimi i mjetit ku si pasojë ka përplasur Ferkon. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në polici për tu pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje.