E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, Inspektoriati i Bashkisë lejon ndërtime pa leje në Bllok

 

zirina llambro

Të prishë ndërtimet, shtesat pa leje e të mos lejojë ndërhyrjet pa kriter në fasadat e pallateve. Këto janë disa nga detyrat kyçe të Inspektoratit të Ndërtimit, në vartësi të Bashkisë së Tiranës, i cili drejtohet aktualisht nga Afrim Qendro. Ndërsa ankesat e qytetarëve për këto probleme janë pafund, askush nuk e vë ujin në zjarr. Në çdo cep të kryeqytetit ka qindra pallate me shtesa të paligjshme, mbi të cilat bëhen kompromise, për të cilat strukturat përkatëse e bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh sa herë që u leverdis. Këto shtesa pa leje gëlojnë edhe në qendër të zonës së ish-bllokut. Madje, grupe inspektorësh bëjnë kontrolle, presin edhe procesverbale, por konkretisht nuk ndërmerret asnjë masë. ”Fushatat” dhe aksionet e Inspektoratit Ndërtimor mbeten me kaq. Ata qytetarë që kanë ngritur probleme të këtij lloji dhe s’kanë mundur të marrin asnjë zgjidhje e dinë fort mirë. Sipas tyre edhe Inspektorati Ndërtimor funksionon me shprehjen “Ca të nënës, ca të njerkës”. Duke filluar nga nesër gazeta do të publikojë një cikël shkrimesh, ku do të jepen fakte për shtesa pallatesh pa leje mu në mes të bllokut. Për to banorët janë ankuar në dyert e Inspektoratit Ndërtimor të bashkisë. I kanë nisur edhe shkresa kreut Afrim Qendro, por pa asnjë dobi. Ndërkaq, një tjetër problem madhor në këtë zonë është ndërhyrja që bëhet në fasadat e pallateve, apo rikonstruksione e përshtatje ambientesh pa asnjë lloj kriteri. Nëse ke një pronë private, të tjerat pak rëndësi kanë tek ne. Kjo liri duket se i tejkalon të gjitha. Ndodh rëndom që hyrja e një pallati të kthehet në pub, në supermarket apo klinikë private, pa menduar shumë për pjesën tjetër të komunitetit që jeton aty. Për të mos folur më tej për fasadat e jashtme, të cilat përshtaten sipas dëshirës. Kudo jashtë vendit tonë ndodh e kundërta. Askush nuk mund të prekë qoftë edhe një tullë të ambienteve të përbashkëta të një pallati, pa marrë më parë leje te banorët fillimisht, e më tej në strukturat përkatëse të bashkisë. Nëse e bën këtë, minimalisht punimet pezullohen pa munguar edhe gjoba të majme. Në foto duket qartazi ndërhyrja që po bëhet në fasadën e pallatit, i cili ndodhet në rrugën “Vaso Pasha” nr 8, tek zona e ish-Bllokut. Dritaret e katit të parë janë zgjeruar e zmadhuar, duke i ndryshuar kryekëput strukturën e ballinës. Banorët kanë kërkuar shpjegime, por përgjigjja e vetme që kanë marrë ka qenë “E bëjmë si të duam, e kemi tonën”. Pamja e re që pritet të marrë fasada e pallatit, përveçse mund t’i shërbejë aktivitetit që po ngrihet aty, nuk ka asnjë lidhje me atë të kateve të mësipërme. Madje ajo stonon tërësisht me to. “Në një pallat ka rregulla, fasadat janë të përbashkëta dhe nuk mund të merren vendime për t’i lyer apo për t’i zgjeruar dritaret e ballkonet, sipas dëshirës”, shprehen banorët. Disa ditë më parë akuza  të ngjashme bëri edhe kryeministri i vendit Sali Berisha pas miratimit të vendimit për disa shtesa në ligjin “Për inspektimin e ndërtimit”. Me anë të tij, i jepen kompetenca të plota për ndërhyrjen me emergjencë Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. “Lëkundet pallati me 9 kate mbi leje. E sheh Bashkia dhe në vend që të marrë masa për ta prishur dhe për të garantuar jetën thotë është dhe një pallat tjetër diku tjetër. Unë nuk them se nuk është, por në mënyrë absolute ndërtim që të kërcënojë këta qytetarë në mënyrën më evidente nuk do të lejohet, por do të rrafshohet. Këtu nuk do të ketë më asnjë tolerim. Ndaj dhe ky ligj është bërë i domosdoshëm”, tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›