E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Nuk kemi rritje të epidemisë

 

zirina llambro

Pas tre vdekjeve nga gripi i derrave Ministria e Shëndetësisë qetëson popullatën. Në një prononcim për gazetën “Panorama”, vetë kreu i këtij dikasteri Petrit Vasili, sqaroi se ato kanë qenë të rastësishme dhe nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me shtimin e epidemisë. “Ajo çka kuptohet gabim është fakti se vërtet kemi pasur tre vdekje brenda dy ditësh, por ndërkaq në të gjithë vendin kemi një tendencë në ulje të rasteve të prekura nga gripi i derrit. Pra, fakti që shtohen vdekjet nuk do të thotë se kemi një shtim të epidemisë. Konkretisht nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë mes tyre, por do ta cilësoja rastësore. Situata është brenda kontrollit dhe aspak alarmante”, tha Vasili. Ministri theksoi se qytetarët nuk duhet të alarmohen, pasi nuk ka vend për panik. Sa i përket vaksinës kundër virusit AH1N1 ai pohoi se mbërrin javën që vjen. Kontratat janë gati. Por ndërsa dy javë drejtori i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë deklaroi se do të mbërrinin 250 mijë doza, ky numër është reduktuar. ”Pritëm kohën e duhur për të sjellë vaksinën, pasi siç e dini ka edhe shumë vende që nuk kanë nisur ende vaksinimin e popullatës. Numri do të jetë më i reduktuar nga sa u tha në fillim pas ne menduam të racionalicojmë sasinë, duke vaksinuar grupet më vurnerabël. Fillimisht do të jenë fëmijët që i përkasin grupmoshës 1-5 vjeç dhe personeli shëndetësor”, u shpreh ministri Vasili. Ai i bëri apel qytetarëve të mos alarmohen, por nga ana tjetër të mos neglizhojnë shenjat e virusit.
Situata
Aktualisht, në vendin tonë po qarkullojnë dy lloj virusesh ai i gripit sezonal dhe ai i derrave. Ky i fundit cilësohet si më i rrezikshëm, sidomos për të sëmurët kronikë ku shfaqet agresiv. Numri i vdekjeve të raportuara zyrtarisht ka arritur në katër, 3 prej të cilave brenda dy ditëve. Viktima e fundit ishte një 30 vjeçar nga Vlora, i cili po trajtohej në reanimacionin e përgjithshëm të spitalit “Nënë Tereza”. Viktima mësohet se ishte emigrant në Itali dhe kishte pak kohë që ishte kthyer në vend. Ai nuk kishte sëmundje tjetër shoqëruese, por ishte vetëtrajtuar në shtëpi për ditë me radhë. Burime të sigurta konfirmojnë se 10 persona të tjerë janë në terapi intensive në shërbimet e  reanimacionit të përgjithshëm, atë të spitalit Infektiv dhe sanatoriumin e kryeqytetit. Të dhënat për situatën gripale në vend deri diku janë kontradiktore, por referuar atyre zyrtare situata është brenda kontrollit. Grupet më të rrezikuara për të pasur komplikacione janë të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna dhe fëmijët. Këto kategori duhet të bëjnë kujdes, pasi pasojat mund të jenë edhe fatale. Madje, duhet të ishin vaksinuar tashmë kundër virusit AH1N1. Javët e fundit është rritur ndjeshëm edhe nr i mungesave në shkolla. Në të gjithë vendin raportohen rreth 9-10.000 nxënës, të cilët nuk paraqiten në mësim pasi janë sëmurë. Konfirmimi vjen nga drejtuesit e drejtorive arsimore. Gjithsesi, sipas tyre, por edhe nga sa bën me dije Ministria e Shëndetësisë nuk ka prekje aq masive, të cilat mund të cilësohen problematike. Po ashtu, i lartë javën e fundit ka qenë edhe numri i mungesave në kopshte. Nga frika e gripit të derrave janë vetë prindërit ata që preferojnë t’i mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi, sapo shfaqin simptomat e para.

Ylli: Më e keqja kaloi, nëntori piku i epidemisë

Muaji nëntor ka shënuar pikun e rasteve të rënda të shtruara në spital, si pasojë e gripit stinor dhe gripit të derrit. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik deklaroi dje, se gati çdo javë janë regjistruar mbi 16 mijë të prekur nga gripi. “Fundi i muajit nëntor mund të themi se ka shënuar pikun e fluksit të qarkullimit të virusit në vend. Si pasojë e tij, kemi pasur shtim të rasteve të paraqitura në spital dhe rritje të rasteve me komplikacione serioze për jetën. Aktualisht, kemi një pacient rëndë në spitalin infektiv në Qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Sipas informacioneve nga spitali, ditën e enjte pacientja paraqiti një gjendje të rëndë shëndetësore, por mësohet se ajo ka shpresa për të dalë nga kjo situatë”, tha Ylli. Ai nënvizoi se nga survejimi i situatës epidemiologjike në vend, mësohet se ka rënie të kurbës së shtrimeve në spital dhe qetësimit të rasteve të rënda prej gripit. Sipas Yllit, aktualisht në Tiranë numërohen rreth 4 raste të rënda me gripin e derrit, tre prej të cilëve në sanatorium dhe një në QSUT. Mjekët thonë se grupmosha e tyre është 20-45 vjeç dhe pjesa më e madhe vuajnë nga sëmundje të tjera shoqëruese. Në të gjithë vendin numërohen zyrtarisht rreth 310 persona të prekur deri tani me gripin e derrit, ndërkohë në laboratorin e virologjisë konfirmohen çdo ditë rreth 6 raste të reja me AH1N1.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›