Ekstradohet nga Londra, Selami Çokaj
LONDER/ANGLI - Në sekret të plotë e pa shumë bujë oficerët e Interpol Tiranës nëpërmjet aeroportit Stansted në Angli në masa të rrepta sigurie të ofruara nga homologët britanikë, kanë ekstraduar një të shumëkërkuar shqiptar. Pas 12 vite fshehje në Londër dhe disa qytete të tjera angleze ka marrë fund arratia e Selami Cokajt. Sipas Muhamed Veliut korrespondent i “Top-Channel” në Angli, avokatët e Çokajt kanë ndërmarrë një kalvar të gjatë procesesh gjyqësore ku i kanë humbur të gjitha detajet ligjore që i çuan deri në Dhomën e Lordëve për të bllokuar ekstradimin. Selami Çokaj nga Shoshani Tropojës është rikthyer në burg për të plotësuar vuajtjen e dënimit. Ai kërkohej nga drejtësia shqiptare për përfundimin e dënimit pasi ishte dënuar për goditjen me thikë për vdekje të një personi në vitin 1994. Tre vjet më vonë Çokaj do të ikte nga burgu Shënkollit në Lezhë për të emigruar në Britaninë e Madhe ku përdorte emrin Valton Gashi. Çokaj baba i katër fëmijëve kishte mundur të fitonte lejen e qëndrimit madje edhe shtetësinë britanike. Gjatë viteve të fshehjes në veri të Anglisë ai do të shndërrohej në një biznesmen të suksesshëm duke fituar mijëra paund në vit nga ngritja e disa pikave të lavazhove për larjen e automjeteve. Selami Çokaj, aktualisht 36 vjeç, marsin e këtij viti, ishte personazhi kryesor në dokumentarin “Të shumëkërkuarit në Angli” transmetuar në televizionin ITV. Menjëherë pas këtij dokumentari ministri i emigracionit Phil Wolas premtoi shpejtimin e procesit të ekstradimit. Organi më i lartë i drejtësisë britanike Dhoma e Londëve refuzoi kërkesën e Çokajt për mos tu ekstraduar, duke i dhënë fund kalvarit të gjyqeve të nisur nga institucionet britanike të drejtësisë. Që nga dita e djeshme Çokaj është rikthyer në qelitë shqiptare ku do vuajë dënimin e mbetur. Sapo ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit ai u është dorëzuar efektivëve të policisë së burgjeve, të cilët e kanë dërguar në qelitë e paraburgimit 302 në kryeqytet, ku do të qëndrojë për pak ditë derisa Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të vendosë për transferimin e tij në ndonjë nga institucionet e ekzekutimit të dënimeve penale. Burime nga Burgjet pohojnë se aktualisht Çokaj është vendosur në qelitë e observimit, nga të cilat pritet të transferohet pas dy-tre ditësh. fa.ma