Vritet emigranti Tasim Spahiu, identifikohet autori i krimit
Vritet me dy të shtëna pistolete pas një grindjeje. Pavarësisht ndihmës së parë dhe transportit me urgjencë për në spital, emigranti shqiptar nuk ka mundur të mbijetojë. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë kur një shqiptar 47-vjeçar është vrarë gjatë një grindjeje me një bashkëkombës në Foxhia të Italisë. Shtetasi shqiptar Tasim Spahiu është vrarë me një armë zjarri të kalibrit 7.65 mm. Krimi, për të cilin janë duke hetuar karabinierët, ka ndodhur pas një grindjeje në rrugën “Airone”. Nga sa mësohet prej burimeve policore, karabinierët italianë janë në gjurmët e vrasësit të mundshëm, që besohet se është edhe ky shqiptar. Tasim Spahiu ishte me dokumente të parregullta në Itali dhe në kaluarën ka punuar si punëtor krahu në Altamura, në provincën e Barit. Prej disa ditësh, viktima qëndronte në shtëpinë e një nipit të tij, i cili ishte me kontratë të rregullt pune në shtetin fqinj të Italisë. Sipas burimeve policore, viktima prej disa kohësh punonte në të zezë pasi nuk kishte siguruar një kontratë të rregullt pune. Viktima dhe nipi i tij, pasi kishin kaluar mbrëmjen me një mikun e tyre, ishin kthyer në shtëpi. Ndërsa i nipi ishte në banesë në katin përdhes të ndërtesës, viktima Tasim ka qenë duke gatuar darkën kur në banesë mbërriti një tjetër emigrant shqiptar. Mes tyre ka filluar një grindje, e cila ka degraduar në të shtëna pistolete me pasojë vdekjen e emigrantit 47-vjeçar. Shqiptari ka vdekur gjatë transportimit të tij për në spital, ndërkohë që karabinierët kanë mundur të identifikojnë autorin e dyshuar dhe janë vënë në ndjekje të tij. Sipas mediave italiane, mësohet që menjëherë pas ngjarjes të jetë marrë në pyetje nipi i viktimës, i cili mësohet të ketë ndihmuar në identifikimin e autorit të dyshuar të këtij krimi.
Detaj
2 kanë qenë të shtënat me pistoletë që i morën jetën emigrantit
47 vjeç ishte Tasim Spahiu, i cili punonte si punëtor krahu në Foxhia
Detaj
2 kanë qenë të shtënat me pistoletë që i morën jetën emigrantit
47 vjeç ishte Tasim Spahiu, i cili punonte si punëtor krahu në Foxhia