E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, PD divorcon BG&R

Tiranë - Pavarësisht fitores së zgjedhjeve të fundit parlamentare të Partisë Demokratike, Kryetari i saj Sali Berisha ka vendosur që të heq dorë nga kompania amerikane "Barbour Griffith & Rogers" (BG&R), e cila menaxhoi fushatën e saj elektorale të fundit. Burime nga selia kanë bërë të ditur për një të përditshme të Tiranës se PD tashmë kërkon që për zgjedhjet e 28 Qershorit 2008 të bashkëpunojë me një kompani evropiane, emri i së cilës deri më tani nuk është bërë publik. Sipas të njëjtave burime, demokratët, aktualisht janë në negociata me një kompani nga Lihtenshtejni (që duket se ka operuar edhe në Itali).

Sipas një lajmi të publikuar në gazetën Shekulli, ende nuk ka një produkt konkret nga këto negociata, ajo që mbetet e sigurt deri më tani është, të paktën "de jure", ndërprerja e bashkëpunimit me BG&R. Pavarësisht se shkaqet e këtij divorci nuk bëhen të njohura nga PD-ja, nuk është e vështirë të kuptohet se në këtë vendim ka ndikuar jo pak debati politik që ka shkaktuar moszbardhja e kontratës financiare e bashkëpunimit për zgjedhjet e vitit 2005, si dhe kontributi që kjo kompani ka dhënë për një sërë partish të njohura si antishqiptare në Ballkan.

Gjithashtu, një faktor tjetër që mund të ketë çuar PD-në në këtë divorc, është fakti se BG&R ka qenë kryesisht e suksesshme në ndihmën e saj, kur ka punuar për partitë opozitare që kanë ardhur në pushtet. Prandaj, PD-ja, në këtë rast ka menduar të gjejë një konsulent tjetër, i cili të jetë i specializuar në modelimin e fushatës për një parti që kërkon të mbajë pushtetin.

Nga ana tjetër, socialistët duket se e kanë fjetur mendjen në këtë drejtim, pasi gjatë fushatës së saj për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, do të bashkëpunojnë me dy kompani amerikano-izraelite. Bëhet fjalë për kompanitë e njohura amerikano-izraelite, "Arthur J.

Finkelstein and Associates", me të cilën PS-ja ka bashkëpunuar dhe më parë, si dhe "Kidron Strategies". Meqenëse këto zgjedhje konsiderohen shumë të rëndësishme nga ana e socialistëve, PS-ja nuk ka nguruar që kompanisë "Arthur J. Finkelstein and Associates", t'i kërkojnë garanci në sigurimin e fitores.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›