E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, "Universi VIP" zyrtarët falsifikuan 100 dosje patentash

Zyrtarët e Drejtorisë së Transportit Rrugor kanë falsifikuar në bashkëpunim me drejtuesit e një autoshkolle dosjet e mbi 100 kursantëve, të cilët kanë aplikuar për pajisje me patentë.

 Hetimet e Njësisë Task-Force Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës, kanë zbuluar falsifikimin e një numri të konsiderueshëm dokumentesh nga zyrtarët e arrestuar një muaj më parë. Gjatë operacionit të koduar "Gërshërët e Ligjit", Prokuroria urdhëroi arrestimin e Kadri Dajçit, pronar i autoshkollës "Univers Vip",  instruktorëve të kësaj autoshkolle Qazim Hoxha e Jonuz Meshi, si dhe 2 ish-punonjës të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor të Tiranës, Emiljano Kahu e Sokol Breça. Sipas burimeve nga Prokuroria, të arrestuarit akuzohen se kanë marrë 600 euro ryshfet nga secili kursant që kërkonte pajisjen me patentë pa iu nënshtruar testit të parashikuar nga ligji. Prokuroria filloi hetimet e saj që në shkurt të këtij viti, bazuar në informacionet për falsifikimin e dokumenteve nga kursantët që kërkonin të pajiseshin me patenta. Sipas të dhënave të siguruara nga policia dhe Prokuroria, kursantët paguanin shuma ryshfeti tek drejtuesit e autoshkollës, të cilët më pas fitimet i ndanin me zyrtarët e Drejtorisë së Transportit Rrugor. Burimet nga Prokuroria e Tiranës, konfirmuan se hetuesit e Sektorit Task-Force Antikorrupsion kanë provuar tashmë se 100 dosje personale të kursantëve të autoshkollës "Univers Vip",kanë rezultuar të  falsifikuara. Sipas Prokurorisë, verifikimet e këtyre dosjeve kanë provuar falsifikimin e të dhënave të personave që kërkonin patenta. "Janë falsifikuar të dhëna si vendbanimet dhe arsimimi i kursantëve", konfirmuan burimet nga hetimi i çështjes. Sipas tyre, grupi hetimor ka dyshime të bazuara se drejtuesit e autoshkollës "Univers VIP" merrnin ryshfet nga klientët e tyre që kërkonin të pajiseshin me patentë. Ata që paguanin ryshfet, përmes bashkëpunimit të drejtuesve të autoshkollës me dy zyrtarët e arrestuar, arrinin të merrnin lejen e drejtimit pa iu nënshtruar procedurave ligjore të parashikuara, si testimet apo kurset e zakonshme. Gjatë arrestimit të pesë personave një muaj më parë, policia dhe Prokuroria arritën t'i kapin ata kur po ndanin paratë që kishin marrë ryshfet nga disa kursantë, të cilët kishin rezultuar fitues pa iu nënshtruar procedurave të zakonshme të kontrollit, vetëm pasi kishin paguar secili ryshfet në shumën 600 euro.              tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›