Nxënësi i zhdukur, policia kërkime në qytetin e lindjes
DURRES/ OERD ULQINI
Zgjerohet deri në Rubik rrethi i kërkimeve për 14-vjeçarin Elis Fusha, të zhdukur që prej një jave nga qyteti i Durrësit. Letra e shkruar prej tij, në adresë të dy prindërve, tashmë është sekuestruar nga policia. Për mënyrën e të shkruarit ajo le vend për hamendësime nga më të ndryshmet, pasi në rreshtat e fundit të saj thuhet "Unë nuk jam më i juaji. Unë nuk jam më për ju. Mos më kërkoni!". Policia ende nuk ka dalë në konkluzion për të interpretuar fjalët e djaloshit, por gjithsesi e ka dokumentuar këtë letër në "cilësinë e provës materiale", lidhur me denoncimin që dy prindërit kanë bërë rreth shpalljes "person në kërkim" të tij. Paralelisht me këtë denoncim është kryer edhe një tjetër në polici, ku babai i adoleshentit, Leonard Fusha akuzon drejtorinë e Shkollës "Nënë Tereza" si shkaktare të situatës. Sipas prindërve, drejtoria e ka keqmenaxhuar situatën duke "i bërë gjyqin" publikisht një të mituri, lidhur me zhdukjen e 3 000 lekëve, para këto, me të cilat do të paguhej roja e shkollës. Hetuesit e çështjes po investigojnë me detaje se çfarë ndodhi një javë më parë, kur 14-vjeçari mori arratinë në drejtim të paditur. Djali është parë shumë i tronditur jo vetëm në shkollë, por edhe në shtëpi. Përpara të gjithëve ai është betuar me lot në sy: "Për shpirt të vëllait që më ka vdekur nuk i kam marrë unë ato para!". Por edhe ky betim solemn nuk ka mjaftuar dhe përpara përgjegjësisë së zhdukjes së parave është vënë vogëlushi. Elis Fusha, kur jetonte në Rubik kishte një djalë xhaxhai, i cili më pas kishte vdekur. Ai e kishte aq të shtrenjtë kushëririn e tij të parë, saqë i thoshte vëlla. Ndaj sipas prindërve betimi që kishte bërë Elisi përpara drejtorisë së shkollës ishte më solemni që ai kishte bërë ndonjëherë në jetë. Pas shkollës Elisi është kthyer shumë i tronditur në shtëpi. Aty ka gjetur mamanë. Duke përfituar nga një moment kur e ëma kishte dalë për të blerë diçka ka shkruar letrën dhe më pas është zhdukur. Sipas dëshmisë së prindërve të thënë në polici, kjo është dinamika e ngjarjes së mistershme. Familja Fusha jetonte në mirëqenie në Rubik, ku zotëronte një vilë trekatëshe. Për hir të së ardhmes së fëmijëve të tyre, ata braktisën Mirditën për të jetuar në Durrës. Burime të policisë thanë se kanë marrë në pyetje mësuesit dhe shokët e shkollës së djalit, por vetëm për të zbardhur rrethanat që çuan në arratinë e tij. Pritet që pas gjetjes së gjurmëve të djalit, të nisë hetimi për akuzën që ka bërë i ati i tij.