E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enada: Karmen, ëndrra ime e realizuar

 

Alma Mile

Me atë buzëqeshje të madhe ajo është çarmatosëse. Megjithatë nuk ishte kjo arsyeja pse koreografi Fredy Manzutti e mori në trupën e tij si soliste. Nga data 7-14 nëntor, Enada Hoxha dhe Gerd Vaso, dy solistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit interpretuan në rolet kryesore në baletin "Karmen". Së bashku me trupën e Kompanisë "Balletto del sud", Enada në rolin e Karmenit dhe Gerdi në atë të toreadorit Eskamilo, interpretuan në skenat e Bolonjës, Leçes e Modenës. Tashmë janë në Tiranë për të vijuar projektet e radhës, siç është baleti "Kopelia", por në pranverë do të kthehen sërish në Itali, për të vijuar turin e shfaqjeve.
Sapo jeni kthyer nga Italia, ku keni realizuar një turne me baletin "Karmen", si lindi ky bashkëpunim?
E kisha ëndërr prej vitesh rolin e Karmenit. Para një muaji ishim të ftuar në Itali nga balerini dhe koreografi Tony Candeloro, për të bërë një shfaqje me të. Fare rastësisht u takuam me koreografin Fredy Manzutti, i cili drejton një nga kompanitë më të dëgjuara, "Balletto del sud". Menjëherë shfaqi dëshirën për të na parë duke kërcyer e për të na ftuar më pas në një produksion të tijin. Kjo mundësi nuk u krijua, por sapo mbërritëm këtu na telefonoi dhe na ftoi për baletin "Karmen". Na tha se po e bënte këtë i shtyrë nga instikti, pasi nuk na kishte parë asnjëherë duke kërcyer. Kur shkuam atje, gjithçka u konkretizua. Shfaqjet e prezantimit u zhvilluan në Bolonjë, Leçe, Modena, dhe pritet që në muajt shkurt dhe mars të vijojë turi nëpër Itali.
Na tregoni pak për këtë eksperiencë...
Kemi mbetur të mahnitur nga puna që bëhej atje. Nisnim provat në orën 10:00 e mbaronim në 18:00, me pushime fare të shkurtra. Një punë intensive. Një kompani shumë e mirë me balerinë nga e gjithë bota, që punonin në një qetësi absolute dhe një disiplinë të fortë. Kjo bëri që edhe shfaqja të pritej shumë mirë. Kritika pozitivisht për të.
Çdo të thotë të jesh "prima balerina" në një skenë të huaj?
Këtë kisha lakmuar, që të jepja shfaqje brenda dhe jashtë. Ka filluar të realizohet kjo ëndërr dhe shpresoj të vijojë më tej.
Për një balerin është fat i madh që të punojë në një teatër kombëtar, qoftë ky shqiptar, apo jashtë. Eksperienca e punës të jep siguri dhe kurajo, të bën të ndihesh mirë. Atje u ndjeva shumë e nderuar, si nga koreografi edhe trupa e baletit.
Ju thatë se gjetët disiplinën, megjithatë shkolla jonë është konsideruar dikur e "rreptë"...
Ah, ishte në të tjera kohë. Ne kemi balerinë shumë të talentuar, por koreografët e huaj që vijnë këtu, të parën gjë që vërejnë është mungesa e disiplinës. Këtu nuk mund të kuptohet puna pa zhurmë, ndërsa atje e harrova tërësisht se çdo të thoshte një gjë e tillë. Edhe pse puna mund të bëhet mirë, kur ka zhurmë, kthehet në një stres. Atje nuk e kishe këtë.
Kjo ngjarje përkon edhe me 55-vjetorin e TKOB-it, si e shihni veten në këtë histori?
U bënë 13 vjet tashmë dhe nuk janë pak. Kam festuar disa përvjetorë në këtë teatër. Kur e mendon këtë, kur sheh se njerëzit flasin për ty, të vlerësojnë, kupton që vlen diçka. Synimi im dhe i Gerdit ka qenë të punojmë shumë e të lëmë një gjurmë, një emër, që edhe kur ndoshta të lëmë profesionin e të vazhdojmë jetën tonë, njerëzit të flasin mirë për ne.
Si e gjen 55-vjetori trupën e baletit?
Shfaqjet e fundit kanë qenë të suksesshme, pavarësisht se tek-tuk ka edhe ndonjë gjë që nuk shkon, por kudo ka të tilla. Them se këtë 5-vjeçar trupa e baletit ka punuar shumë dhe ka qenë më e mira e kohëve të fundit.
Ju ndërkohë keni realizuar edhe shumë koreografi, mendoni se jeni gati për t'ju përkushtuar me kohë të plotë krijimtarisë?
E ardhmja jonë është kjo. Ofertat kanë nisur prej kohësh, por unë dhe Gerdi e ndjejmë veten ende shumë të rinj për të lënë skenën.
Ju thatë se u bënë 13 vjet në TKOB, megjithatë duket se konkurrenca nuk është edhe aq e fortë, apo jo?
Konkurrencën e bëj me veten time. Për çdo gjë matem me veten, dhe me askënd tjetër. Krahas meje, të njëjtin rol e luajnë edhe balerina të tjera, pastaj se cili rol lë gjurmë te publiku, kjo është tjetër gjë. Një balerinë, në radhë të parë duhet të jetë inteligjente dhe duhet të menaxhojë mirë veten. Unë punoj shumë në këtë drejtim.
Sa ndihmon konkurrenca në rritjen e një artisti?
Sigurisht e bën të ecë përpara. Dhe jo vetëm në fushën tonë, por edhe në jetën private, duhet të kesh ambicie që të realizosh gjërat e tua. Kudo kërkoj më të mirën, sigurisht këtë ua uroj edhe të tjerëve.
Si e shihni brezin e ri të balerinëve?
Do të doja që të thosha gjithnjë fjalë të mira, sepse talente ka, por e vërteta është që po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të gjetur balerinë të mirë. Ata që e ndiejnë që janë të mirë, mundohen të ikin jashtë, të tjerët, nuk i kuptoj se çfarë kërkesash kanë në jetë. Bëjnë një shkollë baleti dhe nuk përfundojnë asnjëherë balerinë. Për këtë i vë faj edhe pedagogëve, ish-mësuesve të mi, apo nxënësve të mi. Duhet të ketë më shumë kërkesë llogarie. Drejtuesit e shkollës duhet të gjejnë pedagogët e duhur për të edukuar këtë brez.
Duket se mungon thupra e dikurshme...
Nuk ekziston më. Nëse nuk ka disiplinë, nuk ka edukatë, nuk mund të presësh të ketë balerinë të mirë.
Si balerinë aktivë edhe në spektakle televizive, mund të na thoni sa ndikon ky lloj aktivizimi në paraqitjen skenike?
Televizioni asnjëherë nuk ka qenë synim për mua. Jam ndodhur rastësisht në momentin e duhur. E gjitha bëhet për çështje financiare, sepse artistët vazhdojnë ende të jetë jo aq të paguar sa të justifikojnë lodhjen e tyre. Por veç të tjerash ka edhe që e pëlqejnë ekranin. Ndërsa synimi ynë është teatri. Edhe jashtë nuk kërcejmë në stadiume, apo skena të vogla, por teatro të vërtetë. Dhe kjo është një arritje e madhe për një profesionist. Sa i përket ndikimit që ka në jetën profesionale, edhe këtu duhet të dish të menaxhosh veten. Çdo kush e di se kujt duhet t'i japë prioritet, skenës, apo teatrit.

Teatri i Operës e Baletit, 55 vjeç
Nesër, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit festohet 55-vjetori i themelimit të këtij institucioni. Do të jetë një mbrëmje Gala, ku do të rishfaqet opera "Luçia Di Lamermur". Për festimin e këtij përvjetori qeveria i ka akorduar TKOB-it një fond shtesë prej 5 milionë lekësh të reja. Teatri i Operës dhe Baletit mori jetë në vitin 1953, me nismën e një grupi muzikantësh të pasionuar. Veprat e para ishin pjesë nga krijimtaria botërore, e cila më pas me ashpërsimin e regjimit, u ndërprenë dhe u zëvendësuan me vepra kombëtare. Pas viteve '90, TOB iu kthye sërish repertorit botëror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›