Tiranë, arrestohen shtatë doganierë
Furtunë në doganën e kryeqytetit vetëm pak orë pas largimit të Dervishit. Shtatë të arrestuar për korrupsion me makinat
Policia: Dyshojmë se doganierët kanë kaluar në mënyrë të paligjshme rreth 100 makina
TIRANË- Korrupsioni në dogana ka shpënë pas hekurave shtatë doganierë të kryeqytetit. Pa kaluar as 24 orë nga shkarkimi i kreut të Doganave, Përparim Dervishi, policia e Tiranës arrestoi vartësit e tij.
Operacioni i koduar "Porosia" është mbyllur mesditën e djeshme me arrestimin e Ëngjëll Dylgjerit, 48-vjeç, Xhevdet Malit, 48-vjeç, Ylli Sharrit, 46- vjeç, dhe Olgert Isait, 27-vjeç, si dhe masa për detyrim paraqitjeje për Frida Guxian, 56-vjeç, Sofokli Qosen, 42-vjeç, dhe Ilmi Krantian, 50-vjeç.
Burime nga policia thanë se shtatë zyrtarët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kohë dhe vende të ndryshme, kanë bërë të mundur zhdoganimin dhe targimin e automjeteve në pronësi të personave të ndryshëm, duke përfituar shuma të mëdha parash.
Korrupsioni
Automjetet e vjedhura jashtë shtetit dyshohet të kenë qenë "shënjestra" e shtatë zyrtarëve të doganës së Tiranës për të fituar para.
Ëngjëll Dylgjeri, dhe Xhevdet Mali, me detyrë agjent doganor, pranë degës së Doganës së Tiranës dyshohet se kishin rolin e sekserit për të gjetur persona të cilët do të kryenin zhdoganimin dhe targimin e automjeteve të tyre të cilat dyshohet se ishin të vjedhura. Me tre agjentët doganorë, bashkëpunonin katër zyrtarët e tjerë të administratës së doganës.
Burime nga policia thanë se dyshohet se janë rreth 100 automjete të cilat kishin probleme dhe në rrugë ligjore nuk mund të zhdoganoheshin pasi rezultonin të vjedhura. Kështu 100 automjete janë zhdoganuar dhe targuar nga shtatë zyrtarët e doganës me dokumente false, dhe për secilën prej tyre ata kanë siguruar shumën e parave nga katër deri në pesë milionë lekë, të cilat më pas i ndanin sipas punës së kishin kryer secili prej tyre.
Operacioni
Denoncimi për këtë skandal është bërë nga një person që është detyruar të paguajë "gjobë" pesë milionëshe. Ai është takuar me oficerët e antikorrupsionit dhe u ka treguar të gjithë skemën. Menjëherë pas këtij informacioni policia nisi hetimet. Gjykata e Tiranës vendosi për katër zyrtarë masën e sigurisë arrest me burg ndërsa për tre të tjerë detyrim paraqitjeje. Masa, të cilat u ekzekutuan ditën e djeshme nga policia.
Të akuzuarit
Ëngjëll Dylgjeri, 48-vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, me detyrë Agjent Doganor, pranë Degës Doganore Tiranë, me masë sigurimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë "Arrest në burg".
Xhevdet Mali, 48-vjeç, lindur në Librazhd e banues në Tiranë, me detyrë Agjent Doganor, pranë Degës Doganore Tiranë, me masë sigurimi "Arrest në burg".
Ylli Fadil Sharri, 46-vjeç, lindur në Elbasan e banues në Tiranë, me detyrë Komisioner pranë Lejeve të Drejtimit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë, me masë sigurimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë "Arrest në burg"
Olgert Isa, 27-vjeç, lindur në Delvinë banues në Tiranë, me detyrë Inxhinier pranues Dokumentesh pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë, me Urdhër-Ndalimi të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Frida Guxia, 56-vjeç, lindur e banues në Shkodër, me detyrë Doganiere, pranë Degës Doganore Shkodër.
Sofokli Qose, 42-vjeç, lindur në Gramsh e banues në Tiranë, me detyrë Doganier pranë Degës Doganore Tiranë.
Ilmi Krantia, 50-vjeç, lindur e banues në Tiranë, me detyrë Doganier pranë Degës Doganore Tiranë
Hektor Mamli merrte makina me qira dhe më pas i linte ato peng për 5 deri në 8 mijë euro. Denoncohet për 23 raste
Mashtroi 5 kompani me 150 euro, arrestohet
TIRANË- "Më duhen pesë milionë lekë, do të lë garanci makinën time deri sa të kthej lekët". Me këtë fjali paraqitej në sportele të ndryshme 32-vjeçari Hektor Mamli. Por makina që ai linte peng nuk ishte e tija.
Ai i merrte ato me qira dhe më pas i shfrytëzonte për mashtrime. Nëpërmjet kësaj skeme ai ka mashtruar jo vetëm pesë kompani por edhe 20 miq të tij, duke përfituar shuma të mëdha parash.
Të dyja palët kanë denoncuar në polici, e cila mundi të kryente ditën e djeshme arrestimin e 32-vjeçarit Mamli. Burime nga policia thanë se prej disa kohësh Mamli kishte mundur të aplikonte në disa kompani për të marrë automjete me qira.
E personat kanë mundësi të marrin vetëm një automjet me qira nga një kompani, Mamli kishte siguruar favore që në çdo kompani të siguronte nga katër deri në tetë makina me qira. Fillimisht ai jepte një shumë parapagim dhe më pas duhet të paguante këstet e qirasë së makinës.
Pavarësisht justifikimit që deklaronte 32-vjeçari për marrjen me qira të makinës, ajo kishte vetëm një qëllim të përdorej prej tij për të marrë para borxh. Kështu ai sapo merrte automjetin me qira takonte të njohur të tij dhe u kërkonte para borxh nga 5 mijë deri në 8 mijë euro.
"Kjo është makina ime është me kushte të mira, merre mbaje deri sa të kthej paratë",- mësohet se u drejtohet Mamli huadhënësve të tij.
Të paktën me 20 persona kishte mundur të vepronte njësoj 32-vjeçari, të cilëve u kishte marrë paratë, dhe u kishte lënë makinat. Ndërsa të njohurve të tij nuk po u kthente paratë që u kishte marrë borxh, njësoj po vepronte edhe me automjetet duke mos paguar qiratë.
Denoncimet në ngarkim të Hektor Mamlit kanë mbërritur në polici nga firmat dhe nga miqtë e tij. burime nga policia thanë se aktualisht Mamli kishte marrë 23 automjete me qira nga pesë firma vlera e të cilave arrinte në 150 mijë euro.
Pas arrestimit, Mamli pranoi para oficerëve të policisë se kishte mashtruar dhe se paratë i duheshin për të luajtur kumar. Policia e Tiranës ka kërkuar dje që të gjithë personat e mashtruar prej Mamlit të bëjnë kallëzimet përkatëse. K.K