Fazlliç ankimon në gjykatë zgjatjen e hetimit
ANKESA
Miku i kryeministri ndjek precedentin "Basha" dhe kërkon që akuza të mbyllë hetimet
TIRANË- Miku i kryeministrit Sali Berisha, biznesmeni serbo-boshnjak Damir Fazliç, kërkon t'i shpëtojë drejtësisë duke ndjekur precedentin "Basha". Avokati i tij Genc Gjokutaj i është drejtuar gjykatës me një kërkesë penale për kundërshtimin e zgjatjeve të hetimit edhe për një muaj nga prokuroria.
Kjo e fundit, më tetë prill, vendosi të shtyjë afatet e hetimit ndaj Damir Fazliç, në pritje të ardhjes së përgjigjeve të letër-porosive të dërguara në disa shtete. Kërkesa tashmë është hedhur në short elektronik nga kryesekretari i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe do të shqyrtohet nga gjyqtari i vetëm penalist Gjin Gjoni.
Sipas kërkesës penale të dorëzuar nga avokati Gjokutaj, vendimi i prokurorëve për zgjatje të afatit të hetimit ndaj shtetasit Damir Fazliç edhe për një muaj është i pajustifikuar, pasi është e treta herë që i zgjaten afatet me të njëjtin objekt shtyrje, ardhjen e përgjigjeve të letër-porosive.
Ndërkohë, po e njëjta kërkesë me objekt "ankim për zgjatjen e afateve të hetimeve" është bërë pak muaj më parë nga avokati Gjokutaj që mbronte interesat ligjore të të pandehurit të rrugës Durrës-Kukës, Andi Toma, kërkesë për të cilën Gjykata e Shkallës së Parë, ajo e Apelit dhe më pas Gjykata e Lartë e pranoi, duke bërë që e gjithë dosja e skandalit të ndërtimit të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash të dështojë dhe të çlirohen nga përgjegjësia penale ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha e ish-vartësi i tij Andi Toma.
Ndërkaq, sipas akuzës, arsyeja e zgjatjes së afateve hetimore edhe për një muaj, konkretisht deri më datë 8 maj është bërë për shkak të pritjes së përgjigjeve të letër-porosive të dërguara në Qipro, Zvicër, Angli dhe Bosnje. Kjo e fundit, mësohet se ka kthyer përgjigje dhe dosja e ardhur po përkthehet në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë, ku mendohet se brenda saj janë identifikuar pritësit e rreth 500 mijë eurove të transferuara dhe të tërhequra nga Shqipëria në drejtim të Bosnjës nga vetë personi nën hetim Damir Fazlliç dhe bashkëpunëtorët e tij.
Ndërsa, prej disa ditësh njësia e task-forcës pranë prokurorisë së kryeqytetit ka përfunduar veprimet hetimore e procedurale në ngarkim të Fazliç në Shqipëri, ku është provuar vetëm fakti i blerjes së rreth 14 hektarë tokë në fshatin Rinia të Porto Romanos në Durrës nga miku i kryeministrit Berisha.