E Diel, 1 Nëntor 2026

Panik në buzuk, i dehuri qëllon me armë

Policia prangosi Skënder Lacin dhe Florian Lucën të cilët akuzohen për "vrasje me dashje të mbetur në tentativë"

DURRËS - Kanë konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli në disa lokale e më pas i janë drejtuar një buzuku. Kundërshtimi i truprojës ka bërë që njëri prej dy shokëve të nxjerrë armën dhe nën kërcënim e saj të futet brenda në lokal dhe të qëllojë pesë herë në drejtim të banakut, fatmirësisht duke mos shkaktuar viktima. Policia ka vënë në pranga Skënder Lacin dhe Florian Lucën, të dy banorë të Durrësit, ndërsa akuza e ngritur është ajo e "vrasjes me dashje e mbetur në tentativë", si dhe "armëmbajtje pa leje".


Ngjarja

Dy shokët Skënder Laci dhe Florian Luca, përkatësisht nga 37 vjeç, rreth orës 23:00 të së enjtes, në gjendje të dehur kanë tentuar të hyjnë në një buzuk në lagjen 11 të qytetit. Por punonjësi i shërbimit, duke parë gjendjen e tyre ka kundërshtuar dhe ka debatuar ashpër me ta, duke mos i lejuar të futen brenda. Por gjakrat vetëm sa janë ndezur, pasi Skënder Laci ka nxjerrë armën që kishte me vete, një pistoletë tip "Zastava" dhe së bashku me Florian Lucën ka hyrë në ambientet e brendshme të lokalit, i cili ndodhej nën tokë. Atje Laci ka qëlluar në drejtim të banakut dhe pjesëtarëve të orkestrës. Pesë plumbat e shtëna nga arma kanë krijuar panik tek njerëzit e pranishëm në lokal, por fatmirësisht nuk kanë shkaktuar viktima.


Arrestimi


Menjëherë pas futjes së dy personave në lokal, është bërë edhe njoftimi i policisë çka ka bërë që grupi i gatshëm të paraqitet në vendngjarje duke realizuar edhe arrestimin e 37-vjeçarëve. Ndërkohë është sekuestruar arma e zjarrit, tip "Zastava", si dhe 5 gëzhojat e mbetura në dysheme pas gjuajtjeve të realizuara nga Laci. Nga ana e saj po punohet për zbardhjen e shkakut pse të arrestuarit lëviznin të armatosur, si dhe nëse kanë pasur ndonjë problem me persona të tjerë brenda lokalit. Akuzat e ngritura ndaj Lacit dhe Lucës janë "vrasje me dashje e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim", si dhe "armëmbajtje pa leje".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›