E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëmbente çantat e grave, u ç’kodonte kartat bankare

16/04/2009  Adoleshenti 18-vjeçar, mjeshtri që vëzhgonte femrat dhe u grabiste çantat e dorës

TIRANE- Fatbardh Byberi, djaloshi që ishte kthyer tmerri i banorëve të rrugës së Durrësit, ka përfunduar në gjykatë si i pandehur nga Prokuroria e Tiranës. 18-vjeçari që kryesisht parapëlqente të grabiste vajzat e reja dhe gratë e zonës së rrugës së Durrësit është gjendur fajtor në tre episode, ku i vetëm ai ka mundur të vjedhë në total shumën e parave prej 1 milion e 530 mijë lekë të vjetra. Mësohet se këtë shifër ai ka mundur ta grabisë në çantat e dorës si dhe në kartat bankare që ai mundej t’u grabiste femrave gjatë orëve të mbrëmjes. Sapo kryente veprimin kriminal dhe sigurohej që nuk vëzhgohej nga punonjësit e policisë, 18-vjeçari Byberi u drejtohej bankomatëve në të cilët bënte grabitjen e llogarisë bankare. Burimet thanë se këtë gjë ai ka mundur ta realizojë disa herë, pasi modifikonte kodin e sigurisë së kartës elektronike. Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Tiranës, adoleshenti nga Lapraka në datë 10 janar 2009, në rrugën e Durrësit ka vjedhur portofolin në çantën e një gruaje, duke përvetësuar shumën e 38 mijë lekëve të reja. Po kështu më datë 16 të këtij muaji, në të njëjtin vend ai dyshohet të ketë vjedhur portofolin dhe kartën bankare të një tjetër gruaje, me anë të të cilave ka tërhequr në bankomat shumën prej 45 mijë lekësh. I kthyer në një profesionist, po në të njëjtën mënyrë, Fatbardh Byberi i ka marrë 70 mijë lekë një tjetër gruaje më 26 dhjetor të vitit të kaluar. Burimet pranë organit të akuzës thanë se pasi i ka vjedhur portofolin dhe kartën e kreditit në rrugën e Durrësit, ai ka tërhequr nga bankomati shumën prej 70 mijë lekësh. Grupi hetimor i kësaj çështje tha se skema e suksesit të adoleshentit nga Lapraka ishte vëzhgimi për një kohë të gjatë i objektivit. Byberi përgjatë një kohe kontrollonte të gjitha lëvizjet e femrave që kishte shënjestruar për të grabitur. Në momentin kur ato ndodheshin të vetme (Pa praninë e personave të tjerë) ai u bënte presion me një thikë duke i detyruar që t’ia jepnin çantën. Por kjo skemë nuk zgjati shumë kohë pasi 18-vjeçari që ishte kthyer në tmerri i femrave është arrestuar nga policia. Në momentin e arrestimit të tij policët i gjetën me vete një thikë, të cilën e mbante pa leje. Aktualisht mbi të rëndon akuza e vjedhjes së më shumë se dy herë, vepër penale kjo që parashikon dënimin e tij nga gjashtë muaj deri në 5 vjet heqje lirie. Fatbardh Byberi ka qenë edhe një herë tjetër i dënuar për vjedhje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›