Uji i pijshëm i ndotur, 200 familje në protestë
SHKODËR - Banorë të lagjes "Skënderbeg" të qytetit të Shkodrës, të cilët banojnë në afërsi të magazinave të mallrave tek stacioni i trenit, kanë protestuar para bashkisë Shkodër për papastërtinë e ujit të pijshëm.
Sipas banorëve që janë vendosur në këtë zonë në 20 vitet e fundit, prej muajsh uji i pijshëm vjen i ndotur dhe nuk mund të konsumohet. Janë rreth 200 familje që nuk mund ta konsumojnë dot këtë ujë pasi ai përbën rrezik për shëndetin e tyre.
Duke qenë se ankesat e tyre tek ndërmarrja e ujësjellësit kanë rënë në vesh të shurdhër, banorët janë grumbulluar paraditen e së enjtes përpara Bashkisë së Shkodrës, me shpresën se ankesat e tyre do të dëgjohen.
Teksa mbanin në dorë shishe me ujë të papastër, banorët kanë treguar se ai ishte pikërisht uji që vinte në shtëpitë e tyre dhe që përbënte një rrezik për shëndetin e rreth 200 familjeve.
Banorët u shprehën se si pasojë e ujit të ndotur nuk kanë munguar rastet kur i janë drejtuar spitalit të Shkodrës, ndërsa ndotja e ujit u ka ardhur nga depërtimi në tubacione i mbeturinave dhe ujërave të zeza. Por, dhe pse janë grumbulluar përpara bashkisë, banorët nuk kanë marrë asnjë përgjigje, ndërsa në protestën e tyre paqësore i kanë bërë apel bashkisë dhe ndërmarrjes së ujësjellësit për të zgjidhur problemin e tyre.
Në kërkim për vjedhje, pranga 24-vjeçarit
SHKODËR - Ka rënë në prangat e policisë 24-vjeçari Nikolin Dermani, i cili ishte i shpallur në kërkim për vjedhje. Nikolin Dermani, nga fshati Kir i komunës Pukt është ndaluar nga policia në lagjen "Guerile " të qytetit të Shkodrës, pas informacioneve që ajo kishte marrë për vendodhjen e tij.
Ai ishte shpallur në kërkim sipas një urdhër ndalimi të lëshuar nga prokuroria që më 23 mars, pasi dyshohet se në lagjen "Salo Halili", në bashkëpunim me shtetasit Pëllumb Kolbuçaj dhe Gentian Sufaj, të dy këta të ndaluar dhe me masë sigurie arrest me burg, i kanë vjedhur një shtetasi një sasi prej 70 000 lekësh.
Vidhen kompjuterat e shkollës
TROPOJË - Vetëm tri ditë më parë, në shkollën e mesme të përgjithshme në Llugaj ishin instaluar dy kompjutera e megjithatë dje ata janë vjedhur, duke mos i lënë nxënësit që të shijojnë sadopak kënaqësinë e nismës së qeverisë "Shkolla në moshën e internetit". Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se për të realizuar vjedhjen janë thyer dyert dhe dritaret e shkollës. Si rrjedhojë, dyshohet se personat që kanë kryer vjedhjen mund të kenë qenë adoleshentë.
Megjithatë, ende nuk ka një autor të vënë para përgjegjësisë. Pothuajse të gjitha shkollat e mesme dhe 9-vjeçare janë furnizuar me kompjutera, ndërsa ato që janë në periferi të qytetit, janë lidhur edhe me internetin.