E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët në protestë: Po na jepet vetëm 30% e vlerës së tokës

Rreth 150 familje nga fshati Kryemëdhenj kanë protestuar kundër vlerës së dëmshpërblimit nga qeveria


KAVAJË - Masa e dëmshpërblimit të banorëve të zonës së Golemit është bërë shkak për nisjen e protestave paqësore në aksin rrugor Durrës - Rrogozhinë. Sipas tyre, përveçse nuk janë njohur me projektin që po zbaton qeveria shqiptare mbi pronat e tyre, u është mohuar edhe e drejta e dëmshpërblimit në vlerën që shitet aktualisht toka në këtë zonë. Janë rreth 150 familje nga fshati Kryemëdhenj që kërkojnë të dinë sa do të jetë vlera reale që do të përfitojë secila prej tyre për sipërfaqen e tokës që iu është marrë dhe po shfrytëzohet për zgjerimin e superstradës Durrës - Rrogozhinë. Në një takim që banorët kanë pasur me përfaqësuesit e Komisionit të Vlerësimit të Pronave, atyre iu është thënë që dëmshpërblimi do të jetë 3,5 milionë lekë të vjetra për dynym. Ndërkohë që vlera e truallit mbi të cilin po ndërtohet autostrada, është shumë herë më e madhe. Kjo sipërfaqe toke përfshihet në zonat me përparësi turistike dhe shitet në treg me 10 milionë lekë të reja/dynymi. Nga këto shifra del që dëmshpërblimi i qeverisë është në nivelin 30-35% të e vlerës reale të tokës për zonën e Golemit. "Nuk po kërkojmë të fitojmë më shumë se sa shitet toka në treg, por të paktën të vlerësohet në një nivel të përafërt. I kemi bërë një peticion kryeministrit Berisha, ku kemi kërkuar vlerën e tokës që na takon, dhe jo 30% që na ka ofruar qeveria", - shprehen banorët

Protesta e banorëve lidhet edhe me izolimin që i është bërë fshatit Kryemëdhenj me ndërtimin e superstradës. Ata nuk kanë asnjë informacion se ku do të ndërtohen mbikalimet, si do të bëhet lidhja e pjesës së sipërme të fshatit me zonën e bregdetit, ku do të qarkullojnë këto familje për t'u lidhur me zonat e tjera përreth e shumë pikëpyetje të tjera. Banorët e kanë cilësuar ndarjen e fshatit nga muret e autostradës si "muri i Berlinit". Ky aks rrugor ka hapur dilema që kur filloi të përflitej për ndërtimin e një superstrade, pasi transparenca e projektit ka qenë shumë e kufizuar. Madje edhe vetë drejtuesit vendorë të Golemit nuk janë në dijeni të hollësive që përmban projekti.

Kryetari i komunës, Agron Agalliu, së bashku me specialistët e urbanistikës, pasi u njohën me projektin fillestar, kërkuan rishikimin e disa pikave kyçe që pengonin seriozisht jetën dhe qarkullimin normal të banorave të zonës që ai përfaqëson. Por ky projekt i rishikuar nuk ka arritur ende në zyrat e komunës. "Ne si komunë nuk disponojmë asnjë dokument të rishikuar të projektit dhe asnjë përgjigje për vlerën me të cilën do të shpërblehen banorët për tokën e zënë nga rruga. Nga kontaktet e marra me grupin e vlerësimin të tokës, na është thënë që do të shohim se çfarë mund të bëjmë për të rritur vlerën e dëmshpërblimit, por edhe kjo ka mbetur pa përgjigje përfundimtare zyrtare",- thotë Agalliu. 150 familjet më të prekura nga zgjerimi i rrugës janë të bindura për qëndrimin e tyre kundër masës së shpërblimit që iu është ofruar deri tani. Dhe nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, ata thonë se do të kalojnë në hapa të tjerë deri në pezullimin e punimeve në rrugë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›