Pesticidet depërtojnë në ujin e pijshëm, rrezikojnë banorët
ALARMI/ Në çezmat e shtëpive të lagjes "Vjerdhës" ka mbërritur ujë me ngjyrë të kuqe në blu
Drejtoria e higjienës pritet të japë sot përgjigje lidhur me shkallën e rrezikshmërisë së pesticideve
MIRDITË - Sasi të mëdha pesticidesh, me ndikim të fortë në ambient në një shtrirje të madhe, janë hedhur duke rrezikuar jetën e banorëve të një lagjeje në fshatin Blinisht të komunës Orosh. Banorët e lagjes Vjerdhës të këtij fshati e kanë diktuar ndotjen ekstreme të ambientit kur uji në çezmat e tyre erdhi me ngjyrë të kuqe në blu, karakteristikë e pesticideve të rrezikshme.
Njëri prej banorëve të kësaj lagjeje, Zef Bazhella, thotë se e diktoi vendin ku u hodhën pesticidet një javë më parë, pasi vuri re se në çezmë i erdhi uji jo si zakonisht, por si në të kuq e blu.
"Duke qenë kimist, kuptova se ishte ndikimi i pesticideve në këtë lloj ngjyre. Menjëherë ndoqa rrjedhën nga e kemi marrë ujin e pijshëm deri tek depoja. Kur vajta lart pashë vendin ku ishin hedhur pesticide në sasi të mëdha, me përbërjë të lëngët dhe të qulltë, që mendoj se janë materiale kimike ushtarake shumë të rrezikshme.
Përgjatë një distance të madhe vura re se gjithçka ishte përzhitur (djegur), po ashtu dhe çdo lloj gjallese në atë zonë". I pyetur se sa fshatarë e marrin ujin prej andej, ai thotë se janë gjithë banorët e kësaj lagjeje që e kanë marrë ujin përgjatë luginës, ku dhe janë hedhur pesticidet, pasi ka rezultuar ujë me cilësi pozitive si uji i pijshëm.
"Por tani ndihemi të rrezikuar, pasi gjithçka aty është ndotur dhe kjo për ne do të thotë të mos jetojmë në atë zonë, pasi nuk kemi ku të marrim ujë të pijshëm",- vijon Bazhella.
Ndërkohë, nga ana e specialistëve të drejtorisë së higjienës në Mirditë është parë vendi ku janë hedhur pesticidet dhe është marrë një kampion për të parë shkallën e ndotjes së ujit.
Nga ana tjetër, banorët thanë se ndotja po vazhdon përgjatë përroit për të rënë në lumin Fan i Madh, uji i të cilit pas disa kilometrash bashkohet me Fanin e Vogël dhe më pas me lumin Mat për t'u derdhur në detin Adriatik. E gjitha kjo do të sjellë një përhapje me rrathë koncentrikë të ndotjes së pazakontë me pesticide.
Mësohet se vendi për të hedhur pesticidet është gjuajtur si i tillë në një hon të padukshëm për syrin e kalimtarëve të aksit rrugor Rrëshen-Kukës-Kosovë, ku mendohet të jenë hedhur disa makina me pesticide që nuk iu dihet prejardhja.
Fakti që pesticidet janë të një shkalle të rrezikshme të ndotjes ambjentale dhe rrezik për jetën e banorëve, të cilët pos ujit të pijshëm që marrin në atë zonë, kullosin dhe bagëtitë në ato anë, vihet re edhe sapo shkel atje, pasi një erë e rëndë të shpon nga hundët dhe është e pamundur të qëndrosh qoftë dhe pak minuta për të fotografuar, jo më të jetosh në atë vend.
Pas ankesës së banorëve, kanë shkuar përfaqësues të komunës Orosh, nga ana e policisë, si dhe të drejtorisë së higjienës në Mirditë, por ende nuk dihet nëse janë gjetur gjurmët e personave që i kanë hedhur ato.
Një gjë vihet re në këto lugina që nga hyrja e Urës së Matit e deri në Rrëshen dhe në ngjitje përsipër për nga Kukësi, aksi nacional është i mbytur me plehra të lloj-llojshme, për disa vite janë depozituar plehrat e qyteteve të kësaj zone, por dhe të Lezhës e qendrave të tjera të banuara, pa përmendur dhe plehrat e lëshuara nga bizneset përgjatë këtij aksi, duke krijuar një zonë të kontaminuar prej qindra kilometrash.
Ndërsa hedhja e pesticideve ditët e fundit është më e rrezikshmja, në një zonë që pretendon të jetë panoramike përgjatë aksit autostradal Durrës-Kosovë, i ekspozuar me një ndotje të tillë masive.
Edhe pse kjo ndotje shihet në çdo pëllëmbë vend përgjatë qindra kilometrave, askush nuk bëhet i gjallë për të parandaluar këto ndotje ambientale skandaloze në një zonë kaq të shtrirë të verilindjes së vendit.