Tiranë, atentat i dytë ndaj Gocajt, i vihet tritol në makinë
Vetëm pak ditë pas atentatit të dështuar në Komunën e Partisit një tjetër atentat është organizuar ndaj Aleksandër Gocajt. Makina e Adelina Thaçit, e dashura e Gocajt është zbuluar rastësisht me një sasi prej 400 gram tritol në qëndër të Kombinatit ku ishte parkuar. Benzi me targa gjermane është pikasur nga vetë vajza e cila ka lajmëruar policinë.
Në vendngjarje rreth orës 22.00 kanë mbërritur forca të shumta të komisariatit 6 ku është vënë në kontroll zona dhe më pas është verifikuar mjeti ku ishte vendosur sasia e eksplozivit. Menjëherë është lajmëruar njësia sopeciale e Reneas që merret me raste eksploziv dhe pas një operacione rreth 40 minuta është arritur që të kryhet shpërthimi i kontrolluar i sasisë së tritolit që mendohet se ishte llogaritur që të shpërthente me ndezjen e makinës.
Policia tha se sasia e tritolit ka qënë mjaft e madhe dhe shpërthimi mund të kishte qënë katastrofal. Aleksandër Gocaj u bë përsonazh pasi pak ditë më parë në një parking në “Komunën e Parisit” u qëllua me breshëri kallashnikovi në mjetin e tij ku mbeti i plagosur, ndërkohë që viktimë e kësaj ngjarje mbeti një kalimtare e rastit 24-vjeçarja Megi Jokiçi. Ky është rasti i dytë që ndaj Gocajt organizohet atentat dhe në të dy rastet tentativat kanë qënë të dështuara.